Një grup policësh dhe punonjësish të fushës së naftës të marrë peng gjatë protestave në provincën jugore Caquetá të Kolumbisë janë liruar, ka thënë presidenti Petro.
Dhuna shpërtheu të enjten pasi banorët bllokuan kompleksin e një kompanie kërkimi nafte. Ata kërkonin ndihmën e saj për të ndërtuar rrugë në zonë.
Udhëheqësi kolumbian, Gustavo Petro kishte bërë thirrje që 79 oficerët dhe nëntë punonjësit e Emerald Energy të liroheshin.
Tashmë, një oficer policie dhe një civil janë vrarë gjatë trazirave, transmeton BBC.
Duke njoftuar lirimin e pengjeve, të cilët u filmuan të ulur në një dhomë të mbushur me njerëz në dysheme, Petro u bëri thirrje hetuesve të gjenin përgjegjësit për dy vdekjet.
Ministri i Brendshëm, Alfonso Prada tha më herët të premten se ata u vranë me armë zjarri.
Shumë nga protestuesit janë banorë ruralë që duan që “Emerald Energy” të ndërtojë infrastrukturë të re rrugore rreth zonës San Vicente del Caguan.
Kompania e naftës nuk u përgjigj kur u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters për koment.
Policia kolumbiane nderoi në Twitter policin e vrarë në përleshje, të cilin e quajti Ricardo Monroy.
“Sot jemi më të bashkuar se kurrë”, shkruan ata, duke shtuar se Monroy “ka ofruar jetën e tij në krye të detyrës”.
Protestat në zonat pranë operacioneve të energjisë dhe minierave në Kolumbi janë të zakonshme pasi komunitetet kërkojnë që kompanitë të ndërtojnë infrastrukturë, duke përfshirë rrugë dhe shkolla.
Policia tha se një nëngrup i rebelëve të Farc-ut, të cilët hodhën poshtë marrëveshjen e paqes të vitit 2016, ishin të pranishëm në rajon dhe mund të kenë provokuar trazirat.