Protesta pas vrasjes së Liridona Ademajt, Abazi: Krimi përsëritet aty ku nuk ka drejtësi dhe nuk respektohet jeta

Haki Abazi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka shpërndarë një video lidhur me protestën që po zhvillohet – në kërkim të drejtësisë për vrasjen mizore të Liridona Ademajt më 29 nëntor dhe për të gjitha gratë që u vranë në Kosovë.

Abazi ka thënë se krimi përsëritet aty ku nuk ka drejtësi dhe ku nuk respektohet jeta.

Me moton “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur marshi protestues në kërkim të drejtësisë për vrasjen mizore të Liridona Ademajt më 29 nëntor dhe për të gjitha gratë që u vranë në Kosovë.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.

Lexo dhe: Protestohet në Prishtinë pas vrasjes mizore të Liridona Ademajt

Ata kanë protestuar duke thënë se “vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare” dhe “poshtë patriarkati”.

Protestuesit kanë hedhur tym të zi në drejtim të policisë.

Të hënën e 4 dhejtorit është rivarrosur trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes në Rracaj të Gjakovës. Me kërkesë të familjes trupi i së ndjerës është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.

Lexo dhe këtë: Rivarroset trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes

Qindra qytetarë kanë shkuar që ta ngushëllojnë familjen Ademaj, derisa të pranishëm në rivarrimin e Liridonës ishin edhe disa prej ministrave.

Në mesin e ministrave ishte dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ajo e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës, në një rast të grabitjes që dyshohet të ketë qenë i orkestruar dhe organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Të dyshuarit që janë arrestuar janë bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava dhe Kreshnik Kokalla.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve.

Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e së ndjerës.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

Lexo dhe këtë: “E pajisi me armë”, detaje rreth planifikimit të Naim Murselit për vrasjen e Liridonës

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën, Liridonën.

Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes.

Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika