Kenia ka mbyllur shkollat në dy qytetet kryesore të vendit, gjersa protesta tashmë treditore ka arritur në pikën ku demonstruesit po përballen me policinë.
Gaz lotsjellës është hedhur në kryeqytetin Nairobi dhe në qytetin bregdetar të Mombasa, kundër atyre që protestojnë për koston e lartë të jetesës.
Nga ana tjetër, shumë biznese kanë mbetur të mbyllura për shkak të frikës së plaçkitjes, me njerëz të frikësuar se mos kapen në përleshje të dhunshme.
Javën e kaluar, të paktën 14 njerëz vdiqën në protesta, ndërsa 10 të tjerë u qëlluan për vdekje nga policia.
Siç raporton BBC, organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar ashpër policinë për atë që ata e quajnë përdorimin e tepruar të forcës të mërkurën e kaluar. Më shumë se 50 fëmijë u shtruan në spital pasi gaz lotsjellës u hodh në klasën e tyre në Nairobi.
Opozita bëri thirrje për një sërë protestash pasi rritjet e taksave u prezantuan muajin e kaluar nga qeveria e presidentit William Ruto.
Ndërkaq, shefi i policisë ka thënë se protestat janë një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe ka vendosur oficerë të trazirave në të gjithë vendin.
Në disa qytete, duke përfshirë Nairobin dhe Nakuru në Luginën Rift, protestuesit kanë barrikaduar rrugët dhe kanë hedhur gurë ndaj policisë.
Raportohet për disa persona të plagosur nga përplasje të tilla në Migori, një qark në perëndim të vendit.
Grupet e të drejtave dhe diplomatët kanë shprehur shqetësime të thella për situatën në Kenia, duke i kërkuar qeverisë dhe opozitës që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore.
Të dyja palët kishin rënë dakord të mbanin bisedime në fillim të vitit, por opozita tha se ekipi i Ruto nuk ishte i përkushtuar për zgjidhjen e ankesave të tyre.
Këto përfshijnë rritjen e kostos së jetesës, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve vitin e kaluar, të fituara ngushtë nga presidenti Ruto, i cili premtoi t’i mbrojë interesat e të varfërve.
Megjithatë, që nga marrja e detyrës, ai ka bërë pak për të luftuar inflacionin dhe qeveria e tij ka rritur taksat – duke dyfishuar TVSH-në në karburant.