Protestë në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale në Rusi

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit", një protestë kundër zgjedhjeve presidenciale

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit”, një protestë kundër zgjedhjeve presidenciale të cilat pritet t’ia dhurojnë Vladimir Putinit edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Votimi më 17 mars, në ditën e fundit të zgjedhjeve treditore, u mbajt praktikisht pa asnjë kundërshtarë për Putinin.

Një numër i madh i rusëve, të cilët nuk duan që Putini të vazhdojë të jetë në pushtet, shkuan te qendrat e votimit në të njëjtën kohë në mesditë, disa prej të cilëve edhe ndërmorën hapa për t’i prishur fletëvotimet e tyre.

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në gjithë vendin gjatë votimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rusia pretendoi se Ukraina, të cilën e akuzoi se kreu një valë sulmesh ajrore që arritën deri në Moskë, u përpoq ta pengojë procesin zgjedhor.

Fitorja e Putinit në këto zgjedhje është pothuajse e sigurt, meqë kundërshtarët e tij janë në burgje, në mërgim apo të vdekur.

Lufta e pamëshirshme, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Zyrtarët e Komisionit Zgjedhor të Rusisë thanë se deri në mëngjesin e së dielës, ditës së fundit të zgjedhjeve treditore, më shumë se 60 për qind e 114 milionë votuesve me të drejtë vote e kanë hedhur votën e tyre qoftë fizikisht, apo online.

Për ditën e fundit të zgjedhjeve, autoritetet ruse janë përgatitur për protesta të pazakonta në mesditë në qendrat e votimit, prandaj i kanë rritur kërcënimet se ata që e pengojnë procesin e votimit do të përballen me dënime të rënda me burg.

Para se të vdiste në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, ku po e kryente një dënim që cilësohej si i motivuar politikisht, lideri opozita Alexei Navalny kishte shpresuar se do t’i përdorte zgjedhjet për ta dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve ta hidhnin votën saktësisht në mesditë, duke e quajtur aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerët, i kanë vazhduar thirrjet për protesta të dielën.

Zyra e prokurorit të Moskës ka kërcënuar me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para të votimit, disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar për 28 incidente të tilla, si edhe për të arrestuar.

Incidente të tilla janë raportuar në së paku nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun, Soçin dhe Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit të shtunën duke i quajtur “tradhtarë” që po e ndihmojnë armikun e vendit, posaçërisht Ukrainën.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika