Protestë në fshatin Sveçël për shkak të energjisë elektrike të dobët

Në fshatin Sveçël të Komunës së Podujevës, një grup banorësh ka organizuar një protestë në rrugë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj nivelit të ulët të furnizimit me energji elektrike dhe për të kërkuar veprime të menjëhershme nga organe kompetente për të zgjidhur këtë çështje

Pamje nga protesta e banorëve për energjinë elektrike në fshatin Sfeçël të Podujevës 20/8/2023

Në fshatin Sveçël të komunës së Podujevës, disa banorë kanë protestuar në rrugë si shenjë revolte ndaj organeve kompetente si pasojë e voltazhit të ulët të energjisë elektrike.

Disa banorë të rreth tridhjetë shtëpive të këtij fshati kanë protestuar në rrugë, duke shpresuar që kërkesa e tyre të adresohet tek organet përgjegjëse.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka bërë të ditur se në fshatin Sveçël të komunës së Podujevës disa projekte janë në implementim e sipër.

“Në atë fshat po ndërtohet linja komplet e re e tensionit të ulët. Në kuadër të këtij plani, projektet në fjalë pritet të përfundojnë brenda pak muajsh. Me realizimin e këtyre projekteve, konsumatorët tanë atje, përveç furnizimit të qëndrueshëm dhe të rregullt me energji elektrike, do të kenë edhe siguri në rrjet”, ka thënë Krasniqi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi

Tutje, ai ka theksuar se “KEDS-i mbetet i përkushtuar që të gjithë konsumatorëve tanë t’u sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”.

Në anën tjetër, Rifat Bekolli – një protestues në fshatin Sveçël, ka thënë se kanë probleme të shumta me energjinë elektrike, pasi gjatë orëve të vona nuk bëjnë poqët elektrikë në shtëpitë e tyre si pasojë e rrymës së dobët.

Rifat Bekolli – një protestues në fshatin Sveçël në një prononcim për RTV Dukagjini.

“Kemi ankesë për rrymë. Rrymën e kemi shumë të dobët sa që as poqët elektrikë në mbrëmje nuk ndizen, jemi në telashe e në hall të madh. E di KEK-u[KEDS], e di komuna, e di krejt, nuk dojnë me na ba najfarë zgjidhje. Kërkojmë prej organeve që të bëjnë diçka. Arsyen nuk e dimë pse nuk po bëjnë diçka, me na pru ni trafë na pshtojnë se ne jemi në telashe prej rrymës së dobët. Veç i lusim që të marrin masa ndaj neve, diçka dikush, konkretisht KEK-u[KEDS], jemi parapagues të rregullt, nuk kemi faktura pa i paguar, të gjitha çka i kemi borxh janë të paguara deri më sot”, ka thënë Bekolli.

Po ashtu, edhe një bashkëprotestues në këtë fshat, respektivisht Halil Softolli, shprehu indinjatën e tij, duke thënë se rryma e dobët bëri që ta zhvillojnë këtë protestë si shenjë revolte ndaj organeve kompetente, të cilat janë përgjegjëse për energjinë elektrike.

“Jemi këtë protestë duke e bërë për shkak të energjisë elektrike. Na kemi rrymë, mirëpo është shumë e dobët, rrymën e kemi aq të dobët saqë asnjë pajisje nuk e sjell, çdo sen çka e shtim në rrymë kjo e djeg, rrymë nuk kemi. Që 23 vite që jemi veç janë duke na dështuar, veç janë duke na thënë po sot, nesër, një muaj, dy muaj e mot-mot, asnjëfarë përmirësimi këtu nuk ka. Mundesh me hi me i kqyr krejt pajisjet, janë të sosta, i kemi të djegura, jemi me trafa e zmadhues, ne jemi në telashe. Na e kemi këtë hall e po duam me e zgjidh”, është shprehur Halil Softolli për Portalin Dukagjini.

Halil Softolli në prononcim për RTV Dukagjini.

Tutje, ai ka bërë të ditur se në atë zonë KEDS-i ka ndërtuar dy trafo të energjisë elektrike, duke thënë se “i kanë prurë dy trafa, se kemi 320 metra larg prej këtu, janë rreth pesë a gjashtë shtëpi, ndërsa ne jemi afër 30 shtëpi. I kanë prurë dy trafa, njërën për shtëpi, ndërsa tjetrën për fermë të pulave. Nuk jemi duke akuzuar kojshin, por jemi duke e lypur të drejtën tonë”.

Ndërsa, një tjetër qytetar ka thënë se në këtë fshat rryma është shumë e dobët duke shtuar se nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje, do ta bllokojnë rrugën.

“Na jemi tubuar këtu për rrymë, ne nuk jemi të barabartë me tjerët kolegë. Rrymën e kemi shumë të dobët, parapagues jemi të rregullt. Trafa 320 metra është duke ardhur vetëm për 5 shtëpi, a ne kemi nënshkruar të gjithë për këtë trafë, por neve s’na kanë lidhur në këtë trafë. Ndërsa, tjetra është 500 metra më andej, as aty nuk na kanë lidhur. Nëse nuk na bëjnë zgjidhje, ne do të bllokojmë rrugën. Përndryshe, ne nuk dimë çfarë të bëjmë me këtë rrymë, kemi paralajmëruar që na kanë djegur me frigorifera, me shporeta e me krejt, kanë thanë vijmë, një komision i KEK-ut[KEDS-it], nuk ka ardhur, nuk ka prej muajit të pestë”.

Portali Dukagjini ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga zëdhënësi i komunës së Podujevës, ku ai ndër të tjera ka bërë të ditur se janë të informuar rreth këtij problemi me të cilin po përballën banorët e fshatit Sveçël, por megjithatë furnizimi me energji elektrike është kompetencë e KEDS-it.

Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës

“Jemi të informuar për këtë problem që po ballafaqohen banorët e Sfeçlës, por furnizimi me energji elektrike është nën kompetencat e KEDS-it, e cila edhe është kompani private, ne si komunë e kemi pranuar me seriozitet shqetësimin e banorëve dhe më pas e kemi adresuar tek organet e KEDS-it që të merren masat e nevojshme sa më parë për t’u rikthyer furnizimi me energji elektrike”, ka thënë zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ndryshe, fshati Sveçël është fshat në një largësi afër 3-4 kilometra nga qyteti i Podujevës. Pozita gjeografike e fshatit i mundëson që të llogaritet si qendër e fshatarëve përreth.

Sveçla është fshat rrafshinor me tokë bujqësore të klasit të parë. Ndërsa, pas vitit 1999, fshati është i njohur edhe me emrin Laberion.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika