Protestë para Ambasadës serbe në Shkup kundër barrikadave në veri të Kosovës

Dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut protestuan të enjten, para Ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër barrikadave të vendosura në veri të Kosovës

Ilustrim

Dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut protestuan të enjten, para Ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.

Protesta në Shkup u mbajt, teksa për të 20-tën ditë me radhë, disa nga rrugët e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.

Largimi i tyre u paralajmërua më 28 dhjetor.

Pasditen e së enjtes, nisi largimi i barrikadës në fshatin Rudar, i cili gjendet në komunën e Zveçanit.

Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Protestuesit mbanin në duar flamuj të Kosovës, Shqipërisë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe pankarta me mbishkrimet “Jemi një“, “Larg duart nga Kosova”, “Pa Kosovë nuk ka shqiptar”, “Stop Barrikadave”, “Trepça e Ujmani janë pasuri të Kosovës”, e të tjera.

Kryetari i SHBPPSH-së, Shpëtim Pollozhani, në deklaratën që lexoi para protestuesve, bëri thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e saj.

“Kërkojmë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë rol më aktiv në ruajtjen e sovranitetit, të qetësisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-si që t’i mos barazojë kontrabandistët dhe kriminelët në veri të Kosovës me veprimet legale dhe legjitime të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit në territorin e saj”, tha ai.

Për situatën në veri të Kosovës dhe nxitjen e serbëve, Pollozhani akuzoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Kopja e shëmtuar ballkanike e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, është duke shkuar hapave të tij. Ai po i përdor serbët e Kosovës si vegël për të qëndruar në pushtet, në kohën kur opozita serbe po bëhet më e fortë nga dita në ditë. Por të mos harrojë Vuçiqi se shqiptarët kanë një gjuhë, një flamur, një histori, të cilat do t’i mbrojnë deri në fund”, tha ai.

Për shkak të protestës, Ministria e Punëve të Brendshme kishte rritur masat e sigurisë para Ambasadës së Serbisë në Shkup.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Institucionet e Kosovës thanë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 28 dhjetor, Pantiqit i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë. REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika