Protestë para Ambasadës serbe në Tiranë për shkak të situatës në veri të Kosovës

Disa qytetarë të Shqipërisë kanë protestuar para Ambasadës së Serbisë në Tiranë në lidhje me situatën në veri të Kosovës

Protestuesit në Tiranë. Foto: REL

Disa qytetarë protestuan të martën para Ambasadës së Serbisë në Tiranë të Shqipërisë. Të nxitur nga situata në veri të Kosovës, qytetarët u mblodhën para Ambasadës serbe duke kërkuar zgjidhje për këtë situatë.

Me veshje kombëtare të trevave të ndryshme shqiptare, me flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, protestuesit brohoritën slogane sikurse “Hiqni duart nga Kosova, Mitrovica është e jona”.

Protesta në Tiranë nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe përveç qytetarëve nga Shqipëria, në të morën pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Qytetarët e mbledhur thanë se po protestojnë kundër politikave “destabilizuese dhe luftënxitëse nga Serbia”.

Aktivistët e shoqërisë civile kërkuan nga Qeveria e Shqipërisë që të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë dhe të ngrijë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara midis dy shteteve.

Në deklaratën që u lexua para protestuesve, organizatorët kërkuan nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, të thërrasë Këshillin e Sigurisë. Një thirrje e tillë ka ardhur edhe nga përfaqësues të partive të vogla të opozitës në Shqipëri.

“Komuniteti ndërkombëtar të mos tërhiqet përballë agresionit serbo-rus”, tha një prej organizatorëve të protestës.

Në protestën, që u mbyll qetësisht, qytetarët mbajtën disa pankarta me mesazhe sikurse “Jetën e japim, Mitrovicën nuk e japim”, “Gjithë trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri e Kosovës”, e të tjera.

Protesta në Tiranë. Foto: REL

Protesta në Tiranë u mbajt, teksa për të 18-tën ditë me radhë, disa nga rrugët e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – janë bllokuar që nga 10 dhjetori. Disa serbë lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.

Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 27 dhjetor, autoritetet në Kosovë njoftuan se janë ngritur dy barrikada të reja në veri, një në qytetin e Mitrovicës së Veriut dhe një drejt një rruge që çon për në Zveçan.

Kosova akuzon “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë për ngritjen e barrikadave, ndërkaq Serbia ka përkrahur ato dhe ka thënë se barrikadat nuk do të hiqen derisa Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./REL/

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika