Para Kuvendit të Kosovës po mbahet protesta për punëtoret teknike të këtij institucioni, të cilët janë në grevë, duke kërkuar rritje të pagave për punën që bëjnë.
Në protestën e së hënës, disa protestuese mbajtën pankarta me mesazhe si: “Këto gra punojnë edhe kur janë sëmurë”, “Punëtoret nuk janë mall” dhe “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë”.
Gjatë protestës, gjithashtu u bë thirrje për përgjigje nga përfaqësuesit e Kuvendit, duke përmendur emra konkretë si kryetari Glauk Konjufca, Saranda Bogujevci, dhe Ilir Kërçeli.
Ndërkohë, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli, fillimisht e kishte refuzuar kërkesën nga ana e përfaqësuesve të punonjësve teknikë, duke thënë se “nuk ka arsye për takim”.
Por më pas përfaqësuesja greviste e punëtoreve teknike së bashku me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, janë thirrur nga sigurimi që të hyjnë në Kuvend dhe të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e Kuvendit.
Punëtoret teknike, mëngjesin e së hënës, të cilat kanë qenë në grevë për rreth tre muaj, u ndaluan përsëri në hyrje të ndërtesës së Kuvendit.
Ato po presin një vendim zyrtar që do të përcaktojë se cilat prej tyre do të vazhdojnë punën, ndërkohë që janë sjellë punëtore të reja nga kompania e kontraktuar për këto shërbime.