Në një protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të premten, më 4 gusht, është kërkuar drejtësi për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj.
Aktakuzat tregojnë se më 22 gusht 2021, Marigona është vrarë me dashje dhe në bashkëkryerje në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa. Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje, duke tentuar të fshehin veprën penale të dhunimit që kishte ndodhur një ditë më parë.
Gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit, më 4 gusht në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.
Gjyqi për këtë rast filloi më 14 korrik 2022, ku Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje, ndërsa Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm. Më 23 gusht 2022, avokatët e të pandehurit kërkuan hedhjen e aktakuzës, por kërkesa u refuzua dhe aktakuza u konfirmua më 2 shtator 2022.
Raporti i Institutit të Forenzikës, i datës 24 janar 2023, konstatoi se Dardan Krivaqa nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.
Sipas avokatit të familjes Osmani, Gjyqtari Sahit Krasniqi ka aprovuar propozimin për ekzaminim psikiatrik për të përcaktuar qëllimin e veprës penale.
Në datën 1 gusht 2023, avokati i familjes së viktimës kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, ndërsa avokati i të pandehurit argumenton se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Familja e Marigona Osmanit ka kërkuar që ndaj të akuzuarve të shpallet dënimi kapital, ndërsa ka planifikuar të kërkojë dëmshpërblim dhe mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të gjyqit.
Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aktakuza thotë se Sejdiu me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.
Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar t’i fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar t’i fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.