Njoftimi dhe thirrja e aktivistëve për bllokadë të serishme të hyrjes së Zyrës së Rregullatorit për Energji, në kundërshtim të propozimit për ngritje të tarifave për 15%, mobilizoi Policinë.
Para orës tetë të mëngjesit, dhjetëra zyrtarë të rendit u vendosën përreth e para ndërtesës, si dhe brenda korridorit te hyrja e ZRRE-së.
Në skenë u paraqitën vetëm katër aktivistë protestues, që thanë se edhe një grup ishte në pritje.
Me praninë e shtuar të Policisë, bllokimi i hyrjes nuk ishte më opsion i parë.
Aktivistët më të pakët në numër, këtë herë, kërkuan të marrin një garanci nga drejtuesit e ZRRE-se se tarifat nuk do të ngritën.
“Nuk është në rregull 20 e sa policë me ia bë shërbëtorin kompanisë private KEDS. Ne tek e fundit kemi ardhë për interes të qytetarëve dhe thjeshtë duam të marrim një zotim nga kryesuesi i Bordit, z. Fejzullahu. A ka mundësi me na e lirua derën?”, deklaroi Auron Doli, Aktivist / Protestues.
Por, dera për takim nuk ishte e hapur.
“Prej Ministrisë së Ekonomisë e deri te Qeveria, e Ministria e Brendshme, janë mobilizuar që përmes ZRRE-së t’ia ruajnë fitimin KEDS-it në dëm të interesit të qytetarëve. Sot kanë ardhë 30-40 policë ndaj 10-15 qytetarëve që protestojnë. Pa kurrfarë sensi. Më 5 Prill është një protestë. Protestat dhe aksionet e radhës do të organizohen që mos me lejua këtë shtrenjtim, sepse kjo është barrë e rëndë për secilin qytetar”, DEKLAROI Dibran Hoxha, Aktivist / Protestues
Me 11 Prill pritet të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së, në të cilën do të shqyrtohet propozimi për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për 15%.
Krahas aksioneve të vogla, në kundërshtim të këtij propozimi, aktivistët kanë ftuar një protestë në sheshin Skënderbeu në kryeqytet, të shtunën nga ora 15.