Para Parlamentit të Malit të Zi në Podgoricë, më 8 nëntor, është organizuar një protestë nga Forumi “Luça”, e cila u mbështet nga partitë opozitare, në krye me Partinë Demokratike Socialiste të presidentit, Milo Gjukanoviq.
Qindra protestues u mblodhën nga qytetet e Malit të Zi – duke bartur flamuj kombëtarë, të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës – dhe brohoritën me slogane kundër Qeverisë teknike të Dritan Abazoviqit dhe partive që kanë shumicën në Parlament, në krye me Frontin Demokratik prorus.
Kërkesa kryesore e protestuesve ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Disa nga mbishkrimet që protestuesit bartnin thoshin “Tradhtia nuk është demokraci”, “Nuk ka relaksim me fashizmin”, “Ne jemi këtu për Malin e Zi dhe për BE-në” si dhe “Nuk do t’ua japim Malin e Zi”.
Disa orë para se të niste protesta, makina me flamuj të Malit të Zi, qarkulluan në rrugët kryesore të Podgoricës, duke krijuar kolona të gjata.
Ndërtesa e Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kryesore janë ruajtur nga një numër i madh i zyrtarëve policorë, të pajisur me mjetet e nevojshme për të shpërndarë protestat, ndërkaq para Qeverisë janë parë edhe makina të blinduara.
Po ashtu, mes protestuesve dhe ndërtesave të institucioneve janë vendosur rrethoja metalike.
Përveç partisë së Gjukanoviqit, kjo protestë u mbështet edhe nga parti të tjera më të vogla, sikurse Socialdemokratët, Partia Liberale dhe parti të tjera, që ftuan mbështetësit e tyre të dalin para Parlamentit.
Organizatorët e protestës thanë se “askush nuk ka të drejtë të qëndrojë i heshtur ndaj anarkisë kushtetuese, ekonomike dhe sociale në Mal të Zi”.
Protesta është organizuar kundër shumicës parlamentare, e cila për më shumë se dy muaj refuzon që t’ia shkurtojë mandatin Parlamentit dhe t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja URA e Abazoviqit, po tentojnë të ndryshojnë ligjin për të formuar një qeveri të re – të tretën që nga mbajtja e zgjedhjeve më 2020.
Po ashtu, protestuesit po kërkojnë që të tërhiqet Ligji për presidentin, përmes së cilit, shumica parlamentare po tenton që t’ia transferojë vetes fuqitë kushtetuese të presidentit Milo Gjukanoviq, sa i përket nominimit të kandidatëve për formimin e Qeverisë. Gjukanoviq e ka kthyer ligjin në Parlament për diskutim të ri, dhe e ka cilësuar të njëjtin si jokushtetues.
Që nga fillimi i vitit, Mali i Zi është përballur me krizë politike, pas rrëzimit të Qeverisë së Abazoviqit dhe refuzimit të shumicës parlamentare që të mbahen zgjedhje të reja.
Për më tepër, pothuajse të gjitha institucionet janë me ushtrues detyre, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, institucion që nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Pa kuorumin e këtij institucioni, nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare në rast të mbajtjes së zgjedhjeve.
Në tentim për të kapërcyer krizën politike, kryetarja e Parlamentit, Danjela Gjuroviq, ka thirrur në takim përfaqësuesit e të gjitha partive politike më 9 nëntor. Ajo tha se do të hapë dialogun për të tentuar që të tejkalohet kriza politike dhe institucionale, raporton REL transmeton Portali Dukagjini.