Situata tek objekti i Komunës së Zveçanit vazhdon të jetë e tensionuar.
Protestuesit janë konfrontuar me pjesëtarët e KFOR-it, raporton ekipi i RTV Dukagjinit që po qëndron në atë pjesë për të përcjellur situatën.
Gazetari Sylejman Sylejmani në një linjë direkte në emisionin “Five”, ka thënë se gjatë gjithë kohës ka përplasje të protestuesve me KFOR-in, madje sipas tij ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Ai ka theksuar se gazetarët janë vendosur në një lokal që ndodhet në afërsi të objektit të komunës së Zveçanit.
Ai ka potencuar se pas hedhjes së gjësendeve dhe djegies së të një veture civile të Policisë së Kosovës, situata eskaloi në tërësi dhe gjatë gjithë kohës ka hedhje të mjeteve shpërthyese.
Sylejmani ka thënë se ka edhe ushtarë të KFOR-it të lënduar për shkak se disa prej tyre janë parë duke u tërhequr zvarrë nga kolegët e tyre për t’u futur në objektin komunal dhe më pastaj për t’ua dhënë ndihmën e parë.
Po ashtu, është bërë e ditur se e gjithë situata është nën kontroll të trupave të KFOR-it dhe jo nga Policia e Kosovës.
Një autoblind e Policisë së Kosovës që ishte në afërsi të protestuesve është tërhequr. Ndërkaq një numër i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës po qëndron brenda objektit të komunës.