Partia Socialdemokrate ka drejtuar akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pas votimit në parim të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Me votimin e këtij Projektligji, Dren Kukaj, anëtar i PSD-së, ka thënë se pushteti synon që Këshilli të jetë në kontrollin politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Kemi ardhur sot që të denoncojmë ndryshimet legjislative që kanë ngjarë dje në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në leximin e dytë në raport me ndryshimet legjislative në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në këto ndryshime, vendimmarrja mbi çështjet e rëndësishme, zgjedhja e kryeprokurorit, kryeprokurorëve do të jenë të kushtëzuara vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve joprokurorë në këtë këshill”, ka thënë ai.
Sipas PSD-së, ky këshill do të jetë në kontrollin politik të kryeministrit Albin Kurti.
‘’Ky këshill shumë shpejt do të jetë në kontrollin politik të pushtetit të Kurtit. Ky cenim serioz i pavarësisë së këtij institucioni bëhet në dëm të të drejtave fundamentale të njeriut. Kapja e sistemit prokurorial që i është bërë dje përmes ndryshimeve legjislative në Kuvendin e Kosovës do t’i mundësojë pushtetit të realizojë arrestime spektakolare dhe damkosjen e çdo kundërshtari të këtij sistemi politik’’, ka thënë ai.
Sipas tij, vërejtja nga Komisioni i Venecias dhe shoqëria civile lidhen me shqetësimet për kontroll poltik.
‘’Me këto ndryshime, vendimmarrja mbi çështjet e rëndësishme siç është zgjedhja e prokurorit, kryeprokurorëve të prokurorëve si dhe çështjet disiplinore të prokurorëve do të jenë të kushtëzuara nga anëtaret joprokurorë në këtë këshill. Amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë e vulos ndikimin e anëtarëve joprokurorë karshi anëtarëve prokurorë në këtë këshill. Anëtarët joprokurorë që do të delegohen nga pushteti do të kenë një lloj veto mbi vullnetin që do ta kenë anëtarët prokurorë të këtij këshilli’’, ka shtuar ai.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) të enjten ka shprehur shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në, duke thënë se ai cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues.