Partia Socialdemokrate ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit të Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Naser Hafizit zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore nën dyshimet se i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.
Kështu anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, teksa i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të veprojë më shpejt, ka theksuar se nuk mund ndodhë një krim i përmasave të tilla pa dijeninë e Aliut dhe kryeministrit, Albin Kurti.
“Një javë ditë raportohet që ka shkelje ligjore dhe falje të miliona eurove dhe Liburn Aliu nuk e thotë asnjë fjalë. Del the thotë që janë shpifje për vendime që janë marrë nga ministria e vetë dhe të cilat i janë dorëzuar kabinetit të ministrit. Nuk mund të ndodhë një krim i përmasave të tilla pa dijeninë e Liburn Aliut dhe të kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë Krasniqi.
Kujtojmë se “AlbanianPost” ka raportuar për keqpërdorime milionëshe të ministrit Aliu dhe zëvendësuesit të Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi.
Ndërsa, Aliu i ka mohuar këto raportime duke i quajtur shpifje.
Ai ka thënë se të gjitha këto akuza janë politike dhe se raportimet nuk qartësojnë nëse është i përfshirë në këto akuza.
“E para kjo nuk është akuzë, është shpifje. Sikur të akuzon duhet të ketë një bazë, një farë lloj lidhje logjike. Kur flasim për borxh ata do të duhej të flasin një herë sasinë. Pra thonë 90 milionë euro borxh apo si është ajo, si kanë ardhur tek ai 90 milionë euro. E dyta ku lidhet kjo me ministrin Liburn Aliu që ata dëshirojnë me thanë, në çka lidhet, si e paskam falur unë, kam pasur ndonjë vendim siç ka qenë përpara, vendim për falje apo diçka tjetër. A ka pasur ndonjë vendim të tillë ndonjëherë nga ana ime.
A ka ndonjë marrëveshje me dikë, ku me kënd ajo marrëveshje, vetëm le të dalin ta thonë, krejt në rregull. Por të gjitha janë shpifje dhe nuk kuptoj cili është motivi mbrapa, mbase mund të jetë vetëm thjesht politikë, po mund të jetë edhe çka tjetër”, ka thënë Aliu.