Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aksioni në shënim të 8 Marsit kanë kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i largojë nga partia deputetët të cilët po kundërshtojnë Kodin Civil e ligjin për IVF.
“Kryeministër kryej punët e shtëpisë! Largoj konservatorët prej partisë”, ka shkruar PSD me ngjyrë të kuqe para Qeverisë së Kosovës.
“Dorëzimi para konservatorismit nuk tregon për forcën e grupeve të tilla, por kalkulim të qeverisë përmes partisë. Diversiteti është kthyer në alibi për bashkekzistencë të të kundërtave, brenda të njëjtit subjekt. Ata i thonë demokraci, por në të vërtetë paraqet koalicion me konservatorizmin dhe patriarkalizmin. E si mund të pritet ndryshe nga një model i politikanit që udhëheq përmes figurës së njëshit? Ankesat se si nuk po ju dëgjojnë deputetët nuk janë bindëse nëse jeni të heshtur para tyre. Për më tepër që ne e dimë disiplinën brenda partisë tuaj kur prekën kornizat politike. Apo mbase kjo është shenjë se si mbështjellësi politik e ideologjik i juaji ka material konservator tashmë, dhe ruajtuja e asaj çfarë keni arritur është synimi, përtej kauzave”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Tutje në reagimin e PSD-së thuhet se propozimi i ligjeve, por edhe braktisja e debatit publik për ato ligje ushqen rryma të dëmshme për shoqërinë.