Kosova vazhdon të ketë mospajtime me Serbinë dhe me BE-në. Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme në vend mund ta lejojë BE-në që të transformojë marrëdhëniet midis vendeve dhe të hapë derën për anëtarësimin e Kosovës
Sulmi në shkallë të plotë i Rusisë ndaj Ukrainës e shtyu Bashkimin Evropian të ringjallë përpjekjet e saj të vonuara për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Tri vjet më vonë, dhe entuziazmi fillestar për të sjellë gjashtë vendet e rajonit në projektin evropian është zbehur; momenti politik nga Brukseli po zbehet. Një çështje kyçe që qëndron në thelb të këtij ngërçi është mosmarrëveshja e pazgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, qeveria e ardhshme e Kosovës ose do t’i lehtësojë ose do t’i kompletojë edhe më tej përpjekjet e BE-së në rajon. Nëse opozita, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sigurojnë votat e mjaftueshme për ta formuar një koalicion, ato mund të qeverisin në mënyrë të pavarur dhe ndoshta të rinisin bashkëpunimin konstruktiv me partnerët perëndimorë – duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në anën tjetër, një fitore e fortë e partisë në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri aktual Albin Kurti, mund të nënkuptojë vazhdimin e tensioneve me BE-në dhe ruajtjen e status quo-së përsa i përket marrëdhënieve me Serbinë.
Zgjedhjet zhvillohen gjithashtu në një sfond pasigurie lidhur me politikën e Amerikës ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo e lë Kosovën – e cila i konsideron Shtetet e Bashkuara aleatin dhe partnerin e saj më të rëndësishëm – në një pozicion gjithnjë e më të cenueshëm. BE-ja duhet të përgatitet për disa skenarë politikë, duke identifikuar çdo mundësi për të riorientuar marrëdhëniet e saja të tensionuara me Kosovën.
Beteja asimetrike
Arsyet për dështimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë janë të ndërlikuara. Që nga viti 2011, BE-ja ka provuar dhe deri tani ka dështuar të ndërmjetësojë një zgjidhje afatgjate për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Marrëveshja e fundit në vitin 2023, e cila kishte për qëllim të hapte rrugën për pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare përmes një njohje “de facto” nga Serbia, nuk ka pasur asnjë rezultat.
Ndërsa presidenti serb, Alleksandar Vuçiq punoi në mënyrë aktive për ta penguar përparimin, Perëndimi gjithashtu u përball me një partner të papritur të vështirë, Kurtin. Skepticizmi i tij ndaj ndërmjetësimit të BE-së, së bashku me një qasje të pasigurt dhe konfrontuese, ka kontribuar në ngërçin e këtij procesi.
Marrëdhënia e Kosovës me BE-në gjithashtu mbetet e cenuar nga mungesa e njohjes së plotë. Nga njëra anë, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke e penguar atë të bëhet kandidate për anëtarësim në BE (gjë që kërkon unanimitet midis shteteve anëtare). Si rezultat, e ardhmja evropiane e Kosovës është krejtësisht e lidhur me objektivin e paqartë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo e vë Kosovën në një pozicion të dobët për çdo negociatë dhe kufizon ndikimin e BE-së për të kërkuar kompromis.
Nga ana tjetër, Kurti – i cili nuk ka besim as në aftësinë e BE-së për t’i shtyrë përpara marrëveshjet, e as në gatishmërinë e Vuçiqit për t’i zbatuar ato – ka ndërmarrë disa veprime të njëanshme, shpesh duke shkaktuar frustrime tek aleatët perëndimorë të Kosovës. Në vend që të mbështetet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, qeveria e tij ka prioritizuar operacione policore që shfaqnin autoritetin e Prishtinës në veri të Kosovës dhe kishin për cak institucionet paralele serbe si zyrat tatimore, bankat dhe shërbimet postare. Vendi ishte në rrugën për t’i integruar disa nga shërbimet që Serbia ende ia ofron komunitetit serb të Kosovës në sistemin e vet – përfshirë shëndetësinë dhe arsimin – përmes një kuadri menaxhimi të vetëqeverisur, përmes një Marrëveshje të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo është një çështje shumë delikate për Kosovën, e cila e sheh këtë iniciativë si një dhënie të një autonomie territoriale në njëfarë forme për serbët në veri të vendit, dhe qasja e Kurtit ishte plotësisht anashkaluese në këtë proces.
Në përgjigje, BE-ja e ka akuzuar Kosovën për minimin e dialogut dhe ka vendosur masa ndëshkuese, duke përfshirë ngrirjen e ndihmave financiare dhe ndërprerjen e kontakteve diplomatike të nivelit të lartë. Megjithatë, këto sanksione nuk kanë pasur asnjë efekt mbi Kurtin, i cili mbetet popullor në vend. Ndërkohë, dështimi i BE-së për të vendosur masa të ngjashme ndaj Serbisë, veçanërisht pas dështimit për të mbajtur përgjegjës ata që ishin të përfshirë në sulmin e Banjskës në vitin 2023, ka forcuar vetëm perceptimet për njëanshmëri.
Sovraniteti kundër Pragmatizmit
Kurti e ka bërë agjendën e tij “sovraniste” pjesën qendrore të fushatës së tij për rizgjedhje, duke e portretizuar veten si mbrojtës të sovranitetit të Kosovës, ndërkohë që e paraqet kritikën perëndimore si një shfajësim të Serbisë. Megjithatë, kjo qasje konfrontuese e ka izoluar atë në nivel ndërkombëtar. Gjatë katër viteve të tij në pushtet, marrëdhëniet e tij me aleatët perëndimorë që garantojnë sigurinë e Kosovës, përfshirë partnerët kyç rajonalë si Shqipëria, janë përkeqësuar.
Në kontrast, dy kundërshtarët e tij kryesorë elektoralë PDK dhe LDK – të cilat qeverisën Kosovën për shumicën e periudhës së post-pavarësisë – përfaqësojnë një qasje më tradicionale dhe pragmatike pro-Perëndimit. Dy partitë kanë nominuar teknokratë kompetentë me kaluara të pastra si kandidatët e tyre për kryeministër, të cilët historikisht përqendrohen në sigurimin e njohjes ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe garantimin e sigurisë. Përpjekjet e tyre janë kryesisht në përputhje me qëllimet më të gjera të BE-së për konsolidimin demokratik dhe stabilitetin rajonal; në këto zgjedhje, mesazhet e tyre përqendrohen në shqetësimet ekonomike.
Ndërkohë që ka pak sondazhe të besueshme, Reuters ka raportuar se partia e Kurtit mund të arrijë 40% të votave – një rënie prej 10% nga zgjedhjet e fundit. E kombinuar me rritjen e momentit të PDK-së dhe LDK-së, kjo mund ta komplikojë rrugën e Kurtit drejt pushtetit. Çdo rezultat nën 40% mund të krijonte mundësi për opozitën të formonte një koalicion pa të – rezultati i preferuar i tyre – ose të paktën ta kufizonte aftësinë e tij për të qeverisur në mënyrë të vetme.
Një zhvillim i tillë mund të mundësonte gjithashtu normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Megjithatë, kjo do të kërkonte që BE-ja të ndryshonte politikën e saj ndaj Serbisë duke prioritizuar një trajektore demokratike që shikon përtej Vuçiqit. Një proces i ri anëtarësimi për Serbinë dhe një perspektivë e besueshme e BE-së për Kosovën do të shërbenin si stimuj kryesorë për të dyja vendet.
Një mundësi për BE-në
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, BE-ja duhet të jetë e gatshme të rivendosë marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe të mbështesë çdo qeveri që është e gatshme të angazhohet në një dialog më konstruktiv dhe të parashikueshëm. Por gjithashtu duhet të jetë e përgatitur për mundësitë e ndryshimit të politikës së ShBA-së: nën Presidentin Donald Trump, administrata e re mund të tërhiqet nga rajoni (ndoshta madje të tërheqë trupat) ose mund të marrë një rol më aktiv që sfidon qasjen e BE-së deri tani.
Për të shmangur shtrembërimet, BE-ja duhet të sigurojë që qasja e saj ndaj Ballkanit të mbetet komplementare e jo në kundërshtim me interesat e ShBA-së – kjo e fundit, përmes NATO-s, mbetet e domosdoshme për sigurinë rajonale. Një hap kyç i parë është që BE-ja të ribëjë strategjinë e saj ndaj Kosovës: në vend që të mbështetet kryesisht në masa ndëshkuese, BE-ja duhet të theksojë stimuj si heqja e masave dhe sigurimi i njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e njohin. Nëse arrihet me sukses, kjo do të ndryshonte në mënyrë të thellë kalkulimin politik të çdo qeverie në Prishtinë.
Më gjerësisht, BE-ja duhet ta pranojë se kredibiliteti i saj në rajon varet nga një proces zgjerimi i vendosur dhe i bazuar në vlera. Kurti mund të jetë një partner i vështirë, por kërcënimi i vërtetë për stabilitetin rajonal është aftësia e Vuçiqit për të penguar përparimin dhe për të mbajtur Serbinë në një rrugë që është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me normat demokratike. Duke i përshtatur këto taktika, BE-ja ka forcuar pa dashje ndikimin e Vuçiqit – në dëm të Kosovës dhe rajonit.
Për të ecur përpara me të vërtetë në Ballkanin Perëndimor, BE-ja duhet të ndalojë së toleruari liderët që shfrytëzojnë pasigurinë për përfitime politike dhe të dëshmojë se rruga për integrimin evropian është e prekshme dhe e realizueshme.
__ __
Tefta Kelmendi është zëvendësdrejtoreshë për programin Evropa e gjerë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Agon Maliqi është analist i politikave, aktivist i shoqërisë civile dhe shkrues në media.