PSG-ja shpreson ta ketë Mbappen përballë Bayernit në Ligën e Kampionëve

Paris Saint-Germaini po shpreson që Kylian Mbappe të jetë në gjendje të luajë një pjesë në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut

Paris Saint-Germaini po shpreson që Kylian Mbappe të jetë në gjendje të luajë një pjesë në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut, të martën mbrëma.

Superylli u kthye në stërvitje më shpejt sesa pritej, pas një dëmtimi në kofshë.

Dueli mes PSG-së dhe Bayernit zhvillohet prej orës 21:00 në stadiumin “Parc des Princes” dhe i takon 1/8 së finales së Championsit.

Pasi Mbappe pësoi një dëmtim në ndeshjen e Ligue 1 kundër Montpellierit, më 1 shkurt, kampioni i Francës tha se sulmuesi do të mungojë të paktën për tri javë. Por ai është stërvitur gjatë dy ditëve të fundit me ekipin dhe është përfshirë në listën prej 22 lojtarësh për duelin e parë të 1/8 së finales, së bashku me Lionel Messin dhe Marco Verrattin, të cilët nuk luajtën në humbjen 3:1 në Monaco në fundjavë, shkaku i lëndimeve.

“Unë nuk mendoja se ai do të stërvitej të dielën, por pas të gjitha bisedave që patëm me analistët tanë të performancës dhe stafin mjekësor, vendosëm që, duke pasur parasysh se ai ndihej mirë, Mbappe mund të stërvitej edhe të hënën dhe të përfshihet në ekip për duelin ndaj Bayernit”, ka thënë trajneri i Parisit, Christophe Galtier, në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Megjithatë, Galtier tha se nuk ka asnjë garanci që 24-vjeçari, i cili shënoi shtatë gola në gjashtë ndeshje gjatë fazës së grupeve të Championsit, do të jetë në stol apo edhe do të aktivizohet.

“Ai u stërvit mirë dhe reagimet janë pozitive, por nuk është ende e sigurt se ai do të jetë me ekipin. Ne do t’i shikojmë gjërat deri pak para fillimit të ndeshjes”, insistoi Galtier.

Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, kishte sugjeruar më parë se PSG-ja po luante lojëra mendore kur njoftoi se superylli i Francës nuk do të ishte i aftë për ndeshjen e parë.

“Po përgatitem për ndeshjen sikur ai do të luajë”, tha Nagelsmann javën e kaluar.

Megjithatë, Galtier të hënën mohoi që PSG-ja po konsideronte të aktivizonte Mbappen si zëvendësues vetëm për të frikësuar kundërshtarët e tij, në një përsëritje të finales së Ligës së Kampionëve të vitit 2020, të fituar 1:0 nga gjermanët në Lisbonë.

“Jo, nëse ai është në skuadër, do të jetë për të luajtur, por nuk e di se sa do të zgjasë”, tha trajneri francez.

PSG-ja, klub në pronësi të Katarit, po kërkon të qëndrojë në rrugën për të fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë. Francezët janë eliminuar në 1/8 e finales në katër nga gjashtë sezonet e fundit, përfshirë 12 muaj më parë kur humbën ndaj fituesit Real Madridit. Presioni para këtij dueli është te PSG-ja që vitin 2023 nuk e ka nisur mbarë dhe nuk ka aspak rezultate të mira. Parisi i ka humbur katër nga dhjetë ndeshjet e fundit, ku ka pranuar 13 gola. Ndërsa sulmi i Bayernit ka shënuar hiq më pak se 11 gola në tri ndeshje.

“Sigurisht që jemi të shqetësuar për duelin me Bayernin, por duhet të jemi të qetë”, shtoi Galtier.

Krahas mbrojtjes, edhe sulmi i PSG-së nuk është treguar aq efikas, pasi braziliani Neymar është tërësisht jashtë formës. I pamposhtur para kupës së botës “Katari 2022”, kampioni në fuqi i Francës është mposhtur këtë vit nga Lensi, Rennesi, Monaco dhe Marseille, që e eliminoi nga kupa.

“Lojtarët janë mësuar me ndeshje të tilla dhe e kanë parasysh se duhet ta ngritin nivelin e lojës për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të reflektuar ndaj formës së dobët në kampionat”, tha Galtier.

Fillimi i vitit edhe për Bayernin ishte i vështirë, pasi në tri ndeshjet e para në kampionat luajti baras (1:1), përpara se t’i fitojë dy ndeshjet e fundit. Është i pari në tabelë me 43 pikë, një më shumë se përcjellësi më i afërt.

Te Bayerni pranojnë fuqinë e sulmit që e posedon PSG-ja, por insistojnë se janë gati për t’u përballur në këtë duel titanësh. Sa i përket eliminimit të PSG-së në fazën e njëjtë para dy vjetësh, bavarezët insistojnë se ajo tashmë i takon së kaluarës.

“Do të jetë një përballje e ekipeve që bazohen shumë në fazën ofensive për shkak të sulmuesve që i kanë. Pra, gjithçka do të jetë te sulmi dhe për këtë arsye është një ndeshje e madhe si për ne ashtu edhe për Parisin”, ka thënë sulmuesi i Bayernit, Thomas Mueller.

“Ne jemi të fokusuar te dueli aktual dhe jo te fitorja e së shkuarës. Sigurisht që ajo fitore na motivon dhe do të bëjmë të pamundurën për ta eliminuar sërish”.

Të martën prej orës 21:00, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të 1/8 së finales. Skuadra e Milanit e pret Tottenhamin në stadiumin “San Siro”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika