Ka përfunduar ndeshja e Paris Saint-Germain ndaj 11-shes së ekipeve saudite Al-Nassr – Al Hilal, me rezultat 5:4 për ekipin francez.
Golat në Riad të Arabisë Saudite nuk kishin të ndalur që nga goli i parë i Lionel Messit në minutën e tretë të ndeshjes.
Ndërsa, në minutën e 33-të erdhi goli i dytë i ndeshjes nga Cristiano Ronaldo duke iu kundërpërgjigjur Messit.
Neymari humbi një penallti në minutën e tretë të minutave shtesë në pjesën e parë, ndërsa tre minuta më vonë, Ronaldo shënoi për rezultat 2:2, dhe kështu përfundoi pjesa e parë e miqësores.
Me fillim të pjesës së dytë, Sergio Ramos ishte i pari që realizoi rikthimin e epërsinë së klubit francez, pas asistimit nga Kylian Mbappe (53’).
Mirëpo, nuk zgjati shumë dhe vendasit e barazuan sërish rezultatin me golin e Hyun-Soo Jang (56’).
Një penallti tjetër erdhi në favor të PSG-së në vijim të lojës dhe përgjegjësin e mori Kylian Mbappe për ta rikthyer avantazhin e kampionit francez.
Pra, me një goditje të fortë në të majtë të portierit, Mbappe në minutën e 60-të ka siguruar që PSG-ja të jetë sërish në epërsi.
Zëvendësime nga të dyja skuadrat
Pas këtij goli, ndodhën zëvendësimet dhe dy superyjet e futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi u larguan nga loja, së bashku me Neymar e Kylian Mbappe.
Mbrëmja e Ronaldos u mbyll teksa mori një dyshe të dobishme në debutimin e tij në Al-Nassr.
Golin e pestë për francezët e shënoi Hugo Ekitike në minutën e 78-të, pra për rezultatin 5:3.
Kjo miqësore në Riad ishte ndeshja e parë e Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite që nga nënshkrimi për Al Nassr dhe është ndeshja e parë me Ronaldon dhe Lionel Messin që kur Juventus mundi Barcelonën 3-0 në dhjetor të vitit 2020.