Në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini ishte i ftuar psikologu organizativ dhe psikoterapisti Engin Sylejmani, i cili foli për klimën në mjediset e punës në Kosovë, dhe çfarë mund të bëjë një psikolog organizativ për të përmirësuar këtë.
Psikologu organizativ është një profesionist i shëndetit mendor që zbaton principet e psikologjisë në mjedisin e punës. Detyrë parësore e tij është ngritja e mirëqënies, produktivitetit dhe kënaqësisë në vendin e punës.
Në ndërlidhje me temën, largimin e punëtorëve nga vendi ynë, psikologu deklaroi se ka disa arsye që ndikojnë në një vendim të tillë.
Kryesorja sipas tij është paga, mirëpo ai thekson se në vendin tonë i kushtohet shumë rëndësi pagës, e jo punës për të mbërritur tek ajo, pasi siç shton ai, kur vëmendja bie mbi procesin, apo arritjen e një rezultati, edhe paga do të jetë më e mirë.
Sylejmani thekson se një psikolog organizativ brenda një kompanie apo biznesi, me metoda dhe principe psikologjike do të përmirësonte komunikimin efektiv, pasi përpos pagës që është motivatori kryesor për një punëtor, një tjetër motivues shumë i rëndësishëm është edhe vlerësimi, e që sipas tij në vendin tonë është shumë i pakët, pasi në shumicën e rasteve punëtori ndihet i pavlerësuar nga lideri, menaxheri apo edhe kolegët.
Ai shton në një ambient toksik të punës ndikon edhe puna rutinë dhe pa sfida. Kjo zakonisht ndodh në kompani apo fabrika që kanë shumë punëtorë, ku zakonisht ndodhin përqarje dhe ka konkurrencë të padrejtë.
Një psikolog brenda një kompanie të tillë sipas Sylejmanit do të kthente harmoninë duke përdorur konkurrencën dhe xhelozinë për të rritur produktivitetin dhe duke larguar ambientin toksik.
Në lidhje me lidershipin e një kompanie a biznesi psikologu deklaroi se duhet të ndahet në dy lloje, Lidershipi i vendeve si institucionet policore e ushtarake që duhet të jetë më me autoritet, dhe lidershipi tjetër që duhet të jetë më i hapur ndaj ideve, të vlerësojë në bazë të meritokracisë, të vlerësojë idenë dhe jo personin, pasi sipas tij zakonisht idetë e punëtorëve nuk merren parasysh.