Kuvendi i Republikës së Kosovës ka njoftuar se referuar deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë publikuar shkresat e dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe.
Të hënën e 7 nëntorit, Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Portali Dukagjini, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Dorëzim i mandatave vjen dy ditë pas bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe.
Më 5 nëntor, Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, pasi shpalli dorëheqjen nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se largimi nga institucionet vjen pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në lidhje me dorëzimin e mandateve nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Kosova nuk është në krizë kushtetuese, pasi në aspektin procedural dhe ligjor është njëjtë sikurse dorëheqja e një deputeti të Kosovës.
Ndërsa i pyetur se a mund të shkojë vendi në zgjedhje ai ka thënë se është e pamundur që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ta dërgojë Kosovën në zgjedhje kur të dëshirojë.
“Nuk kisha pasë dëshirë me mendu që Aleksandër Vuçiq mundet me qu Kosovën në zgjedhje kur të dojë”, gjersa ka shtuar se nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë të shkaktojë në Kosovë “zgjedhje apo destabilizim apo zgjedhje si rezultat i destabilizim të vendit apo sfidimit të sigurisë, kjo nuk është e mundur.
Sipas tij, ata mund të kenë qëllime të tilla, por përballë qëllimeve të tilla duhet të jetë konsensusi kombëtar.