Qeveria e Kosovës ka publikuar logon dhe agjendën e aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Aktivitetet do të zhvillohen nga data 5 deri më 7 mars, duke përfshirë homazhe, mbledhje solemne dhe aktivitete kulturore.
Ora e parë e mësimit kushtohet Epopesë së UÇK-së
Më 5 mars, në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së, për të kujtuar sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë.
Mbledhje solemne dhe nderime për dëshmorët
Po të njëjtën ditë, në orën 10:00, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës, ndërsa në të gjitha komunat do të zhvillohen seanca solemne në nder të kësaj date historike.
Në orën 12:00, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të bëhet rreshtimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndërkohë, në Skenderaj do të organizohen turne sportive në futsall dhe volejboll.
Homazhe në Prekaz dhe në gjithë Kosovën
Të enjten, më 6 mars, në orën 10:00, krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa homazhe do të zhvillohen edhe në të gjitha komunat e Kosovës, në nderim të dëshmorëve.
Në mbrëmje, nga ora 19:00, në Prishtinë do të mbahet akademia përkujtimore për Epopenë e UÇK-së.
Nata e Zjarreve në Prekaz
Më 7 mars, nga ora 19:00, në Prekaz do të organizohet “Nata e Zjarreve”, një nga aktivitetet më simbolike të shënimit të Epopesë së UÇK-së, ku me ndezjen e zjarreve nderohet sakrifica e familjes Jashari dhe e gjithë luftës çlirimtare.
