Dy ushtarë amerikanë ishin zhdukur që nga 9-të qershori, të cilët bashkë me togën e tyre ishin duke luftuar së bashku me forcat ukrainase në veri të Kharkiv-it.
Sipas familjeve të tyre, ata mund të jenë kapur nga forcat ruse, ndërsa të enjten e 16-të qershorit është publikuar një foto, ku shihen dy ushtarët amerikanë në pjesën e pasme të një kamioni ushtarak rus, me duar të lidhura mbrapa, raporton CNN.
Kjo fotografi ishte postuar nga një bloger rus në Telegram, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit i tha të enjtën e 16-të qershorit familjes së njërit prej amerikanëve të zhdukur në Ukrainë, se kishte prova të mundshme për kapjen e Drueke, por nuk mund ta verifikonte foton në atë kohë.
Dy ushtarët amerikanë të kapur nga forcat ruse janë Alexander John-Robert Drueke, 39 vjeç dhe Andy Tai Ngoc Huynh, 27 vjeç.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën dhe jemi në kontakt me autoritetet ukrainase”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Gjithashtu, është raportuar se amerikani i tretë i zhdukur në Ukrainë është veterani i marinës amerikane, Grady Kurpasi, i cili ishte zhdukur në mes të 23 dhe 24 prillit 2022. Kjo ishte bërë publike nga zyrtarë të administratës amerikane të cituar nga CNN.