Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, të martën e 25 prillit është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila do të hyjë në fuqi më 15 maj të vitit 2023.
Në nenin tre të kësaj rregulloreje thuhet se Kosova i ka përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit të saj drejt një regjimi pa viza.
“Në bazë të një vlerësimi të një sërë kriteresh të renditura në nenin 1 të Rregullores (BE) 2018/1806, është e përshtatshme që mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova të përjashtohen nga kërkesa për vizë kur udhëtojnë në territorin e Shteteve Anëtare. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash”, thuhet në këtë nen.

Kjo rregullore është e përbërë nga gjithsej 12 nene.
Në nenin katër të saj, nga kërkesa për vizë duhet të zbatohet vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike të lëshuara nga Kosova në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
“Ky përjashtim nuk duhet të zbatohet deri në datën nga fillimi i funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar me Rregulloren (BE) 2018/1240 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit ose deri më 1 janar 2024, apo ndonjë datë tjetër që mund të publikohet më herët”, thuhet në nen.

Në anën tjetër, analisti politik, Demush Shasha, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka mjaftueshëm kohë që të informojë qytetarët për procedurat që i presin.
“Kjo do të lejoj mjaftueshëm kohë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen, por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024”, ka shkruar Shasha në Facebook.
