Në një video të rrallë të publikuar nga Ramadan Selimi, vëllai i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ky i fundit shihet duke kënduar me çifteli.
Në këto pamje të ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili tash e dy vjet po mbahet në paraburgim në Hagë, shihet edhe bashkëluftëtari i tij, tanimë i ndjerë, Mujë Krasniqi-Kapuçi.
Kjo ngjarje e vitit 1992, kishte ndodhur në dasmën e Elmi Zekës, në fshatin Abri të Skenderajt.
Videoja është publikuar në vigjilje të 28 nëntorit – 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndryshe, ish-luftëtari Selimi ka dërguar nga Haga rreth 110 piktura të cilat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës janë ekspozuar për publikun në prag të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në hapjen e kësaj ekspozite, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, edhe një herë theksoi se Selimi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së po mbahen padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të mbahet e ekspozita personale e Rexhep Selimit me emrin “NË GARË ME BOTËN GRI” nga data 25 nëntor të vitit 2022 deri më 04 dhjetor të vitit 2022.
Në 4 vitet e fundit, Selimi ka përfunduar më shumë se 250 piktura, dhe disa prej tyre do të ekspozohen për publikun në muze.
Rexhep Selimi, është ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, dhe aktualisht ai është i arrestuar nga Gjykata Speciale, edhe ndodhte në paraburgimi në burgun e Hagës, nën dyshimin për krime lufte.
Para se të arrestohej ai kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Politike “Lëvizjes Vetëvendosje”.
Selimi ka lindur më 15 Mars 1971 në Aqarevë, Skenderaj. Shkollimin fillor e kreu në Klinë, të mesmin në QAMO “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Ndërsa studimet universitare i kreu në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Selimi është themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe ishte ai që më 28 nëntor të vitit 1997 ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së.
Në 1998 ka qenë drejtues i Drejtorisë së operacioneve në SHP të UÇK-së. Më pas, Selimi ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.
Gjatë viteve 1999- 2000 ka qenë Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Nga viti 2000 deri në 2003, Selimi ka qenë edhe Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK.