Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar të premten edicionin e 23-të të Përmbledhjes Pulsi Publik.
Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022, përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.
Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me presidenten ishte në 56.8%.
Niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41% dhe me punën e kryeministrit prej 44.9%.
Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kurse kënaqshmëria mekKryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%.
Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022.
Ndërkaq, anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022, tregon edhe për atë se sa janë të gatshëm qytetarët për të protestuar për arsye politike.
Një numër dukshëm më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në nëntor 2022 (24.2%) sesa në prill 2022 (37.6%). Ky është numri më i ulët i të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike i regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik.
Pulsi Publik 23 regjistron një ulje si në Indeksin e Demokratizimit (ID), ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE).
ID-ja aktuale shënon ulje të lehtë prej 0.14 pikë (1.52), krahasuar me prillin 2022 kur kjo vlerë ishte 1.66 pikë. Sidoqoftë, kjo shifër (1.52) sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve në Kosovë kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, IBE-ja është ulur për 0.12 pikë krahasuar me prillin 2022.
Gjithsej 69% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ky ishte komponenti më i vlerësuar i ID-së.
Gjithsej 31.2% e të anketuarve besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime. 69% e të anketuarve do të votonin nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti./telegrafi.