Pese ditë para se të nis zyrtarisht fushata zgjedhore, punonjësit e rinj të KEK-ut personalisht nga Kryeministri, i pranuan kartelat e punës.
Në mesin e 220 punëtorëve të rinj është edhe Buzuk Krasniqi.
Vëmendjen mediatika Krasniqi e mori pas njoftimit për punësim në Facebook.
Me miqtë online përpos gëzimit për punësim, ai e ndau edhe numrin 65, i cili rastis të jetë numri i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçit.
TV Dukagjini ka arritur të bie në kontakt me Krasniqin i cili thotë se numri 65 nuk lidhet me Thaçin, por pretendon se ishte gabim gjatë shkrimit.
“Nuk është e vërtetë që unë jam pjesë e Vetëvendosjes ja që deputeti në fjalë ka pasur lidhje diçka për rastin që më është mveshur, për punësim. Punësimi ka qenë korrekt, gjithçka ishte transparente”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi pretendon se me Thaçin njihen veç për faktin se jetojnë në të njëjtin qytet, por se privatisht nuk e kanë asnjë lloj raporti.
Edhe deputeti Thaçi për televizionin Dukagjini e ka mohuar që ka ndikuar në këtë punësim, duke insistuar se për 22 vite pikërisht banorët e Obiliqit janë diskriminuar në punësim.
“Unë veç e njoh unë nuk kam absolutisht me të mirëpo qytetarët po e shohin që qeverisja e Albin Kurtit është e drejtë dhe e barabartë për çdo qytetarë. Zhurmën e madhe po e bëjnë ata që janë mësuar me i marr ka 10 mijë euro me i punësu militantat e Mitrovicës e Skenderajt në oborret e shtëpive të qytetarëve të Obiliqit”, ka thënë Thaçi.
Përpos ndikimeve politike, në media janë ngritur dyshime, ku pretendohet se 150 nga 220 punëtorë të KEK-ut, janë me origjinë nga fshati Bardh i Madh i Fushë Kosovës, bashkë-fshatar të ushtruesit të detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri.
Edhe me Gërgurin TV Dukagjini ka rënë në kontakt.
“I nderuar jam në semafora më fal se jam shumë i zënë. Më vjen keq, ju përshëndes kalofshi mirë i nderuar. Tung, tung.”, ka thënë Gërguri.
Edhe deputeti Thaçi është pyetur për dyshimet për 150 të punësuar, dhe përmes telefonit tha se nuk i di detajet por nuk beson që vijnë nga fshati i Kryeshefit të KEK-ut.
Deputet të opozitës janë të sigurt se të gjitha këto punësime po bëhen me qëllim përfitimin e votave.
“Çështja e punësimit tashmë po përcillet jo vetëm me afera politike, por të skajshme dhe keqpërdorim, çështja e improvizimit dhe falsifikimit të diplomave dhe shumë afera të tjera. Në realitet Qeveria Kurti në këtë rast Kryeministri po orvatet që të monopolizojë ndërmarrjen publike, veçanërisht të blejë votën përmes punësimeve tash në fushatë elektorale”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Kjo është në funksion të mihjes, prodhimit të qymyrit”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti.
Kjo është përgjigja e Kryeministrit në pyetjen se a konsideron se punësimi lidhet me fushatë. Në Facebook, Kurti ka treguar se në KEK në dy vjetët e fundit bashkë me punonjësit që i’ua dorëzoi kartelat e punës janë punësuar 745 punëtorë të rinj.