Një tjetër tre dhjetor, një ditë e personave me aftësi të kufizuar e shënuar me barriera sociale.
E ftuar në “Shpirti i Vikendit”, Kaltrina Misini nga HANDIKOS ka thënë se këtë vit pritej që të ketë ndonjë ndryshim dhe se a është realizuar kjo, pritet të shihet ditëve në vazhdim. Por krahas kësaj, ajo shpreson që ky vit të nketë shërbyer si vit vetëdijësimi.
“Ka qenë viti për persona me aftësi të kufizuar. I shpallur si i tillë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndonëse në kuadër të një kalendari vjetor është planifikuar që të ketë shumë intervenime…është pritur që të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm të situatës së personave me aftësi të kufizuara në vend mirëpo për këtë do të mund ta shohim qartazi ditëve në vijim pasi që të shpaloset raporti vjetor, aty mund të themi çka është bërë e çka nuk është bërë”, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se “shpresojmë që ky vit të ketë shërbyer si një vetëdijësim, ngritje e vetëdijes tek shoqëria dhe tek institucionet mbi atë se çfarë duhet bërë me tutje për personat me aftësi të kufizuara”.
Ajo përmendi vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili kishte përmendur disa vendime të marra gjatë këij viti siç janë plotësimi i kuotës për punësim. Ajo thekson se ndonëse një gjë e tillë do duhej të zbatohet, një gjë e tillë nuk është zbatuar akoma.
“Punësimi mbetet një prej sfidave dhe vazhdon të mbetet një problematike ngase nuk kemi statistika se sa persona me aftësi të kufizuar jane të punësuar, qoftë në institucione publike apo private’, ka thënë ajo.
Një tjetër problem vazhdon të jetë edhe çështja e qasjes në institucione shkollore.
“Është një prej barrierave kryesore se pse fëmijët me aftësi të kufizuara nuk mund të përfshihen në edukim”, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se bazuar në një statistikë të UNICEF-it, vetëm 12 për qind prej tyre kryejnë shkollim.
HANDIKOS Qendër përfshin vetëm degën e Komunës së Prishtinës, megjithëse organizata ka degë të ndara që veprojnë në komuna të ndryshme, tregon Misini gjersa thekson se gjatë vitit kanë përfituar rreth 70 fëmijë ndonëse numri i atyre në nevojë është akoma më i madh.
Krahas kësaj, shëribimi psikologjik ofrohet në HENDIKOS, jo vetëm për fëmijët por edhe për pindërit.
Se çka mund të bëjë shoqëria në ndihmë dhe përfshirje të personave me aftësi të kufizuara, Misini thotë se një person me aftësi të kufizuar e ka të pamundur të jetë pjesë e jetës së përditshme në qoftë se has pengesa qysh nga dalja nga dera, e këtu ajo i referohet institucioneve arsimore, mjekësore e të tjera. Andaj, përfshirja më e thellë e tyre në shoqëri është më se e nevojshme.