Me pankartat “Duam kontratë kolektive sektoriale”, “Të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, “Ndaloni mbylljen e reparteve në spitale”, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.
Kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri ka deklaruar se kjo qeveri “nuk dëshiron sindikata, e as dialog social”.
“Na kanë sjellë në këtë situatë pas gjithë kësaj kohe, si federatë që kemi qenë të prirur t’i prijmë dialogut social, kemi dhënë një hapësirë të mjaftueshme që të reflektojnë, megjithatë kjo ministri nuk ka asnjë sinjal se dëshiron të kenë bashkëpunim me sindikatat përgjithësisht”, ka thënë ajo, transmeton KP.
Në njoftimin për protestën, FSSHK-ja shprehu pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e Qeverisë për rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, si dhe mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale.