Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, punëtorët teknikë kanë filluar grevën nga e hëna, për shkak të pagave të ulëta.
Në mungesë të punëtorëve teknikë, nxënësit e kësaj shkolle kanë marrë përgjegjësinë e kryerjes së punëve teknike.
“Punën e punëtorëve teknik që janë në grevë në shkollën Naim Frashëri po e kryejnë nxënësit”, kështu ka shkruar në Facebook, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Punëtorët teknikë kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me pagat, duke kërkuar ngritje.
Komuna e Prishtinës të mërkurën pritet të paraqesë një ofertë për rritjen e pagës për punëtorët teknikë që janë në grevë.
“Nesër pritet që komuna e Prishtinës të më ofroi ofertën për rritjen e pagës për punëtorët që janë në grevë, dhe pas kësaj oferte të gjithë anëtarët e sindikatës do të ftoheni dhe do vlerësojmë këtë se a do të jetë e pranueshme për ne apo jo, greva vazhdon, deri në një vendim tjetër”, ka njoftuar Azemi.
Nëse greva nuk sjell sukses brenda javës së ardhshme, punëtorët teknikë kanë njoftuar se do të kërkojnë nga komuna të gjejnë punëtorë të tjerë, pasi ata nuk janë të gatshëm të rikthehen në punë me pagën aktuale.