Ministria e Drejtësisë ka organizuar një punëtori treditore mbi menaxhimin e kontratave në Shqipëri, jashtë Kosovës. Aty morën pjesë zyrtarë të panevojshëm për menaxhimin e kontratave, të cilëve nga kjo ministri iu referuan si “mbikëqyrës” të tyre. Përveç anëtarëve të avokaturës shtetërore, aty pjesëmarrës ishin edhe nga njësia e auditimit të brendshëm, ku asnjëra palë nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë menaxhimin e kontratave në këtë dikaster. Gjithashtu, organizimi i kësaj punëtorie ra ndesh me vendimin e 2020-ës të nxjerrë nga Qeveria, që ndalon punëtoritë jashtë Kosovës.
Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në dokumente publike në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me këtë punëtori, së cilës iu përgjigj pozitivisht ky dikaster. Ata bënë të ditur edhe emrat e pjesëmarrësve, të cilët figurojnë të mos jenë drejtpërdrejt përgjegjës për menaxhimin e kontratave. Nga kjo ministri thanë se në punëtori janë përzgjedhur menaxherët dhe “mbikëqyrësit” e disa kontratave të caktuara, pa specifikuar se kush cilën kontratë e menaxhon apo mbikëqyrë.
“Në këtë punëtori kanë marrë pjesë të gjithë menaxherët e kontratave dhe mbikëqyrësit e menaxhereve të kontratave të dy agjencive AAPSK dhe AVSH në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ky ishte kriteri i përzgjedhjes“, thuhet në përgjigjen e MD’së për Insajderin.
Ata kanë arsyetuar prezencën e zyrtarëve të njësisë të Auditimit të Brendshëm, duke thënë se në raportet e saj ka dhënë rekomandime për zbatimin e modulit të menaxhimit të kontratave në kuadër të sistemit elektronik “e-prokurimi”.
“NJAB, si vlerësuese e kontrolleve të brendshme ka dhënë kontributin e saj: Fushëveprimi i shërbimit këshillëdhënës bëhet në pajtim me udhëheqësin e subjektit të sektorit publik, që përfshinë shërbimet e këshillimit, konsultimit dhe shërbimet e trajnimit, me qëllim që të ndihmojë subjektin e sektorit publik për të arritur objektivat e tij, sipas Ligjit nr. 06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, paragrafi 3 te nenit 17”, vijon përgjigja e këtij dikasteri.
Insajderi ka marrë vesh se i gjithë ky trajnim është mbajtur në një hotel luksoz ku nuk kanë lënë pa u ekspozuar edhe pijet alkoolike nga zyrtarë të caktuar nëpër rrjetet sociale. Për këtë, mediumi është interesuar t’i pyes se me çfarë kriteresh kanë përzgjedhur hotelin ku është realizuar kjo punëtori. Nga MD’ja vetëm kanë thënë se “shërbimet e hotelerisë për organizime të tilla janë të përjashtuara nga procedura e prokurimit“.
Insajderi po ashtu është interesuar edhe për shpenzimet e akomodimit dhe koston e punëtorisë, si dhe atë të meditjeve. Nga ministria që udhëheq Albulena Haxhiu kanë thënë se totali i kostos së realizimit të kësaj punëtorie treditore është 3,680 euro, ndërkaq çështja e mëditjeve “është në proces“.
Referuar vendimit nr.107 të datës 05.11.2020 të Ministrisë së Financave për caktimin e tarifave për udhëtim zyrtarë brenda vendit duke ruajtur paranë publike, nëse ky trajnim/punëtori do të mbahej në Kosovë sipas legjislacionit përkatës do të merrnin mëditje prej 31 euro secili zyrtar, e jo nga 78 euro.
Po ashtu, ky vendim bie ndesh edhe me një vendim të Qeverisë së Kosovës, të nxjerrë më 2020-ën i cili mban vendimin e Avdullah Hotit. Pika e parë e këtij vendimi ndalon organizimin e punëtorive jashtë vendit dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve publikë në to.
“Ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Republikës së Kosovës nga të gjitha Ministritë, Agjencitë Ekzekutive dhe njësitë tjera brenda sistemit ministror të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me hartimin, punimin apo diskutimin e dokumenteve qeveritare përfshirë strategjitë, koncept dokumentet, projekt aktet normative, dokumentet planifikuese dhe të gjitha dokumentet e ngjashme“, thuhet në vendimin e qeverisë.
Ministria e Drejtësisë tash e një vit nuk e kanë të funksionalizuar Divizionin për Menaxhimin e Kontratave, zyrtarët në kuadër të së cilës do të duhej të ishin pjesë e kësaj punëtorie.
“Kjo ishte punëtori e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe jo trajnim, dhe pasi që Prokurimi dhe Auditimi ballafaqohen drejtpërdrejt me problemet rreth menaxhimit të kontratave, ku të njëjtit kërkojnë këshilla dhe konsulta rreth menaxhimit të kontratës nga Auditimi dhe Prokurimi dhe kjo është arsyeja pse punëtoria është organizuar bashkërisht me menaxherët e kontratave, dhe ka qenë e domosdoshme të mbahet kjo punëtori“, ka thënë ndër të tjera MD’ja.
Përveç nga Avokatura Shtetërore dhe njësia e brendshme e Auditimit, pjesëmarrës në këtë punëtori kanë qenë edhe nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Për ta thuhej se menaxhojnë disa kontrata për “shërbimet e transportit të automjeteve, pajisjeve, mallrave dhe makinerisë së sekuestruar dhe të konfiskuar“, “shërbime të alarmit dhe monitorimit për objektet e sekuestruara dhe të konfiskuara” dhe “sigurimi nga zjarri të depos dhe objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara“. /Insajderi.org/