Pushimi i hetimeve ndaj Shukri Bujës, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara të Kosovës (ZPS) në Hagë ka ngritur debat në vend mes juristëve dhe avokatëve që kanë ndjekur procesin nga afër.
Në FIVE të Dukagjinit, avokati Meshar Selimaj ka komentuar këtë zhvillim duke e quajtur atë një “lajm shumë të mirë për Kosovën dhe Shukri Bujën.”
Selimaj shpreson që ky proces do të vazhdojë në mënyrë të drejtë dhe se do të vërtetohet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Duhet të bëjmë dallimin se kemi pushimin e hetimeve dhe nuk kemi një vendim gjyqësor që e ka liruar nga aktakuza të njëjtin. I njëjti nuk ka pasur aktakuzë, ka qenë në hetime përgjatë kësaj kohe… Është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për Shukri Bujën dhe për të gjithë neve. Shpresojmë që ky karvan i filluar në këtë mënyrë do të pasojë edhe më të tjerët… kjo drejtësi po vepron. Shpresojmë që do të veprojë në mënyrën e drejtë, do të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK-së…” ka thënë Selimaj në FIVE të Dukagjinit.
Nga ana tjetër, avokati i Bujës, Taulant Hodaj vlerësoi se ky ishte një zhvillim i rëndësishëm, sidomos për ish-komandantin e UÇK-së, por edhe për procesin më të madh të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Që është një gjë jashtëzakonisht e mirë. Pikësëpari për zotin Buja, që heq një barrë të rëndë prej tij. Dhe për gjithë procesin e Gjykatës Speciale. Sepse është rasti i parë më mbyllen hetimet për krimet e luftës. Dhe mirë edhe për Kosovën, sepse nuk ka një hierarki aq të lartë siç e ka pasur zoti Buja, që ka mundur me u përmbyll me aktakuzë apo vendim fajësues.
Në ato momente që zoti Buja nuk është përgjigj, nuk kanë qenë të mbyllur hetim, pas presionit tonë juridik, janë mbyllur hetimet. Pastaj është rikualifkuar nda i dyshuar në dëshmitar dhe ka filluar të jap dëshminë publike”, ka thënë Hodaj.
Për më tepër, Xhevdet Smakiqi, një tjetër avokat, theksoi se ky zhvillim është një “sinjal” për dështimin e ZPS-së, veçanërisht përsa i përket hetimeve ndaj krerëve të UÇK-së.
Ai shtoi se, për shkak të mungesës së provave, ZPS-ja mund të ketë vështirësi në zgjerimin e hetimeve ndaj komandantëve të tjerë të UÇK-së.
“Është një sinjal që ZPS-ja është duke dështuar komplet edhe në aktakuzën për krerët e UÇK-së. Në këtë kuptim të ZPS-së ata nuk do të kenë prova për të zgjeruar hetimet dhe ndaj komandantëve të tjera. I urojmë edhe zotit Bujës për këtë fitore. Është fitore edhe për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, ata duhet ta shfrytëzojnë këtë sepse zoti Buja në mënyrë të argumentuar ka shpjeguar nuk ka pasur as ndërmarrje të përbashkët kriminale apo nuk ka pasur urdhër dhënie apo përgjegjësi komanduar siç po pretendon ZPS-ja”, ka thënë Smakiqi.