Inflacioni, shtrenjtimi i produkteve, apo rritja e çmimeve, në gusht, sipas Agjencisë së Statistikave, ishte 3.2%.
Rritja reale e bruto produktit vendor apo të mirave kombëtare në tre mujorin e dytë mbi 2%, papunësia bazuar në tre muajt e fundit të 2022-s ishte 11.8%, kurse paga mesatare e llogaritur po ashtu për vitin e kaluar pas ishte 521 euro.
Këto janë shifra në faqen zyrtare të ASK-së. Këto të dhëna paraqesin gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet Kosova.
Krahasuar me periudhën e qeverive të kaluara, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se vendi ka performancë ekonomike dukshëm më pozitive.
“ATK-ja për shembull në kohën kur kemi ardhur ne ka mbledhur të hyra diku vjetore rreth 400 milionë euro, kurse deri në fund të vitit parashoh që të hyrat e tyre do të jenë 930 milionë euro…Dogana e Kosovës kur kemi ardhur ne në pushtet ka mbledhur diku afërsisht 980 milionë euro, kurse deri në fund të vitit parashoh që ato të arrijnë në 1.7 miliard euo, rreth 1.6-.1.7”, ka thënë Muja.
Shefi i Komisionit për Buxhet pret që vitin tjetër buxheti i shtetit të shtohet për gati 500 milionë euro.
“Tre miliardë e 350 milionë deri në 3.5 miliardë, aty duhet të jetë diku. Dhe duhet të ju rikujtoj që është diku rrethi 1.5 miliard euro më i madh sesa në kohën kur kemi ardhur ne në qeverisje. Që do të thotë deri në vitin tjetër (2025) unë e parashoh një buxhet prej 4 miliardë euro”, ka shtuar Muja.
Muja pret më shumë të ardhura edhe nga tatimi për të ardhurat personale, dhe nga të hyrat e korporatave, me theks tatimi në fitim që paguajnë bizneset.
Por duke parë situatën në terren, Partia Demokratike e Kosovës pret që edhe vitin tjetër të ketë suficit të buxhetit.
Anëtari i komisionit për buxhet nga PDK, Ferat Shala, ngre shqetësime se situata me buxhetin do të komplikohet pas pezullimit të ligjit për Tatimin në Pronë nga Gjykata Kushtetuese.
“Ky ligj do të nxjerrë telashe shumë në planifikimin e buxhetit të ardhshëm sepse duhet të pritet vendimi final i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të harmonizohen të gjitha planifikimet buxhetore vetanake… I sjellë një dilemë pushtet lokale sa i përket të hyrave vetanake dhe planifikimit për vitin e ardhshëm, pra kemi një ligj me të cilin Qeveria ka imponuar vepime të pa-matura financiare dhe juridike dhe tashmë kemi këtë situatë. Besoj shumë se ligji do të kthehet por që afatet kohore do të jenë të vonuara dhe ne do të kemi vështirësi sa i përket planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm”, ka thënë Shala.
Megjithatë deputeti Muja thotë se deri më tani janë mbledhur rreth 32 milionë euro nga tatimit në pronë dhe nuk sheh ndonjë rrezik që të ketë vonesa dhe probleme në planifikimin buxhetor të komunave.
Buxheti i vendit për këtë vit është 2 miliardë e 748 milionë euro.