Zyrtarët të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në urdhërimin e trasferimit me forcë, të strehimit dhe më pas birësimit të fëmijëve ukrainas që u zhvendosën nga zonat e luftës dhe rajonet e pushtuara të Ukrainës, gjetën hulumtuesit amerikanë.
Në një raport të publikuar, hulumtuesit nga Universiteti Yale thanë se të paktën 314 fëmijë nga Ukraina ishin subjekt i një “programi sistematik të birësimit dhe strehimit të detyrueshëm” nga individë dhe familje ruse.
“Federata Ruse është përfshirë në një birësim të detyrueshëm dhe transferim fëmijësh nga Ukraina në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe të gjerë”, tha raporti. “Operacioni… u iniciua nga Putin dhe vartësit e tij me qëllimin për të ‘rusifikuar’ fëmijët nga Ukraina”.
Gjetjet i shtohen të dhënave të shumta që sugjerojnë se Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë mund të jenë përfshirë në krime lufte.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletarrestim për Putinin në mars 2023 për “krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm” dhe “transferimit të paligjshëm” të fëmijëve nga territori ukrainas në Rusi. Komisionarja e Kremlinit për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, u akuzua gjithashtu.
Hulumtuesit në Laboratorin e Kërkimeve Humanitare të Universitetit Yale, puna e të cilëve mbështetet pjesërisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, thanë se kishin dokumentuar që nga viti 2022:
- Aeroplanët e regjistruar në Forcat Ajrore të Rusisë dhe në Zyrën presidenciale u përdorën për të transportuar fëmijët në Rusi;
- Fëmijët ukrainas u mbajtën në Rusi për muaj të tërë, u regjistruan në shkolla ruse dhe më pas u regjistruan në baza të dhënash për strehimin e fëmijëve;
- Disa fëmijë ukrainas shfaqen në bazat e të dhënave ruse sikur ata kanë lindur në Rusi, jo në Ukrainë;
- Shtetasit rusë, që morën kujdestarinë ligjore të të miturve ukrainas, u “inkurajuan” të aplikonin për shtetësi ruse për fëmijët nën kujdesin e tyre;
- Fëmijët ukrainas iu nënshtruan “riedukimit prorus” në institucionet shtetërore ruse.
Sipas raportit, shumica e fëmijëve nga Ukraina, që janë të regjistruar në baza të dhënash të Rusisë, janë marrë nga Donjecku, rajon në lindje të Ukrainës që është pjesërisht i pushtuar nga forcat ruse dhe forcat aleate ruse që nga viti 2014.
Kremlini ka shpallur aneksimin e rajonit të Donjeckut, dhe tri rajoneve të tjera ukrainase – Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni – plus të Gadishullit të Krimesë. Vetëm Siria dhe Koreja e Veriut e kanë njohur këtë lëvizje.
Përfaqësuesit rusë shpesh e paraqesin përpjekjen e tyre si një gjest humanitar, duke strehuar, ushqyer ose mbrojtur fëmijët nga lufta ose nga kolapsimi i shërbimeve rajonet e pushtuara. Megjithatë, në shumë raste, autoritetet ruse kanë bëtë pak për të identifikuar prindërit ose të afërmit ose kujdestarët ligjorë të fëmijëve ukrainas.
Sipas të dhënave zyrtare të Ukrainës, deri më 24 korrik 2024, 19.546 fëmijë janë dëbuar nga Ukraina për në Rusi që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Komisionari për të drejtat e njeriut i Ukrainës muajin e kaluar tha se deri më tani 1.012 fëmijë janë kthyer nga Rusia.
Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë më 4 dhjetor se po vendos kufizime sa i përket vizave për pesë zyrtarë rusë që mbështeten ose janë instaluar nga Rusia, në përgjigje të përfshirjes së tyre në shkelje të të drejtave të njeriut në Ukrainë, duke përfshirë edhe dëbimin me forcë të fëmijëve.
“Shumë nga këta fëmijë u është ndryshuar identiteti dhe origjina u është mjegulluar, i janë nënshtruar indoktrinimit prorus dhe militarizimit ose janë birësuar nga familjet ruse”, tha DASH-i.
DASH-i nuk identifikoi pesë zyrtarët rusë, por shtoi se autoritetet e Kremlinit kishin krijuar pengesa që parandalojnë kthimin e fëmijëve në Ukrainë.
“Përbuzja e vazhdueshme e Rusisë për detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare për të raportuar vendndodhjen e këtyre fëmijëve e bën të pamundur sigurimin e kthimit të sigurt të tyre”, tha Departamenti amerikan i Shtetit./Radio Evropa e Lirë