Putin: Sanksionet ndaj Rusisë janë rrezik për botën

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dënuar sanksionet nga vendet perëndimore të vendosura për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke thënë se ato janë një kërcënim për të gjithë botën

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kritikuar sërish Perëndimin të mërkurën, duke thënë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë janë një “rrezik” për botën.

Duke folur në një forum ekonomik në Rusinë Lindore, Putin ka shtuar se vendet perëndimore janë përpjekur në mënyrë agresive të imponojnë mënyrën e tyre të jetesës në vendet e tjera dhe t’i bëjnë ato “të nënshtrohen ndaj vullnetit të tyre”.

Ndërsa, Ukraina duket se ka nisur një kundërsulm në rajonin e Kharkiv në verilindje të vendit, me disa raportime për luftime në rajon. Por, presidenti rus paralajmëroi se cilësia e jetës për evropianët po sakrifikohet ndaj sanksioneve, gjersa vendet më të varfra po humbin aksesin në ushqim.

Gjithashtu, ai ka thënë se Evropa po mashtronte vendet e varfra nga gruri i Ukrainës.

“Jam i sigurt se nuk kemi humbur asgjë, dhe nuk do të humbasim asgjë”, ka deklaruar Putin.

Fermeri Andriy Zubko kontrollon pjekurinë e grurit në një fushë në rajonin e Donetsk, Ukrainë

Për muaj të tërë portet detare të Ukrainës u bllokuan nga forcat ruse, por, që kur eksportet rifilluan në fillim të gushtit, lideri rus pohoi se vetëm dy anije me grurë kishin shkuar në Afrikë, gjë që nuk është kështu. Ai ka thënë se donte të diskutonte rishikimin e marrëveshjes, në vërejtjet e refuzuara nga Ukraina si të pabaza.

Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt dhe tani ka nën pushtim rreth një të pestën e territorit ukrainas. Gjashtë muaj më vonë, ajo është larguar nga zonat përreth Kievit dhe veriut dhe tani përballet me një kundërofensivë ukrainase në jug dhe lindje.

Vendet perëndimore iu përgjigjën luftës duke vendosur sanksione ndaj një numri të madh individësh, biznesesh dhe ndërmarrjesh shtetërore ruse. Bashkimi Evropian (BE), ka kërkuar të shkurtojë varësinë e tij nga gazi dhe nafta ruse, gjersa Moska ka mbyllur tubacionin kryesor të gazit Nord Stream 1 për Gjermaninë, duke e fajësuar atë për çështje teknike.

Tubacioni i gazit Nord Stream 1 në Lubmin, Gjermani. Fotografia: Hannibal Hanschke/Reuters

Po ashtu, Rusia ka pezulluar tubacionin kryesor të gazit për një kohë të pacaktuar, dhe nga ky vendim, paniku i energjisë përfshin gjithë Evropën.

Çmimet e energjisë janë rritur, ndërsa ministrat e BE-së takohen të premten për t’iu përgjigjur krizës.

BE-ja tashmë ka ndaluar fluturimet direkte nga Rusia, dhe javën e kaluar 27 shtetet e saj anëtare zemëruan më tej Moskën duke rënë dakord për ta bërë procesin e sigurimit të vizave më të mundimshëm për rusët, raporton BBC, transmeton Dukagjini.

Një vizë shumë e çmuar Shengen që mbulon 22 vende të BE-së ka të ngjarë të bëhet gjithashtu më e shtrenjtë. Tri shtetet baltike tani kanë shkuar më tej me një marrëveshje për të ndaluar rusët të kalojnë nga Rusia dhe Bjellorusia, përveç nëse ata janë shoferë kamioni ose kanë arsye familjare dhe humanitare.

Në mëngjesin e së mërkurës, kreu i administratës shtetërore rajonale të Kharkiv, Oleg Synegubov, postoi në Telegram se forcat ruse po bombardonin pjesë të ndryshme të Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, dhe luftimet po zhvilloheshin në provincë.

Rusia ka humbur një afat për të bërë pagesën e borxhit, për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj saj.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, janë shpallur një gamë e gjerë masash, për të kufizuar aftësinë e saj, për të paguar për luftën.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për paketën e ndihmës financiare, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, 22 mars 2022

Cilat janë sanksionet?

Sanksionet janë dënime të vendosura nga një vend ndaj një tjetri, për të ndaluar atë të veprojë në mënyrë agresive ose të shkelë ligjin ndërkombëtar.

Ato janë ndër veprimet më të vështira që kombet mund të ndërmarrin, pa shkuar në luftë.

Si po sanksionohet Rusia?

Vendet perëndimore kanë synuar individë të pasur, banka, biznese dhe ndërmarrje shtetërore.

Rusia besohet se ka dështuar në një borxh për herë të parë që nga viti 1998, pasi humbi një afat kyç.

Ajo ka para për të bërë një pagesë prej 100 milionë dollarësh, por sanksionet e bënë të pamundur këtë. Kjo vjen pas një sërë masash të marra ndaj institucioneve të saj financiare, raporton BBC.

SHBA-ja e ka ndaluar Rusinë të bëjë pagesat e borxhit duke përdorur 600 milionë dollarët që ajo mban në bankat amerikane, duke e bërë më të vështirë për Rusinë që të shlyejë kreditë e saj ndërkombëtare.

Asetet e bankës qendrore të Rusisë janë ngrirë, për të ndaluar përdorimin e 630 miliardë dollarëve, të rezervave që ka në valutë të huaj.

Bankat kryesore ruse janë hequr nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve financiare Swift, i cili do të vonojë pagesat ndaj Rusisë për eksportet e saj të naftës dhe gazit.

Mbretëria e Bashkuar ka përjashtuar bankat kryesore ruse nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, ka ngrirë aktivet e të gjitha bankave ruse, ka ndaluar firmat ruse të marrin para hua dhe ka vendosur kufizime në depozitat që rusët mund të bëjnë në bankat e Mbretërisë së Bashkuar.

Foto ilustrim

A po e dëmtojnë Rusinë sanksionet?

Pritet një recesion i thellë dhe ekonomia e Rusisë pritet të tkurret me 10% në vitin 2022.

Raftet e supermarketeve në Moskë janë ende goxha plot, raporton redaktori i BBC Rusi, Steve Rosenberg, megjithëse disa artikuj të importuar nuk janë më të disponueshëm.

Sanksionet ndërkombëtare do të kishin shkaktuar kolaps ekonomik, nëse do të dilnin nga askund, ka thënë Chris Weafer nga Macro Advisory në Moskë. Por, për shkak se Rusia ka përjetuar sanksione që nga viti 2014, ajo ka qenë në gjendje të bëjë disa rregullime.

Si ka reaguar Rusia?

Rusia ka ndaluar eksportet e më shumë se 200 produkteve, duke përfshirë telekomi, mjekësore, automjete, bujqësore, pajisje elektrike dhe lëndë druri.

Po ashtu, Rusia po bllokon pagesat e interesit për investitorët e huaj me bono qeveritare, dhe po ndalon firmat ruse të paguajnë aksionerët jashtë shtetit. Gjithashtu, ka ndaluar investitorët e huaj që mbajnë miliarda dollarë investime ruse që t’i shesin ato.

Rusia ka dështuar ta paguajë borxhin ndaj perëndimit

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika