Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore nëse ekziston një kërcënim për shtetësinë, sovranitetin ose pavarësinë e saj, duke shprehur shpresën se ShBA-të do të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor.
Deklarata e Putin-it ishte një tjetër paralajmërim i hapur për Perëndimin përpara një votimi presedencial këtë javë, në të cilin ai është i sigurt se do të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.
Në një intervistë me televizionin shtetëror rus, Putin e përshkroi presidentin amerikan, Joe Biden, si një politikan veteran që kupton plotësisht rreziqet e mundshme të përshkallëzimit dhe tha se ai nuk mendon se bota po shkon drejt një lufte bërthamore.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe “nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi të përgatitur”.
Putin ka thënë se në përputhje me doktrinën e sigurisë së vendit, Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore në rast të një kërcënimi për “ekzistencën e shtetit rus, sovranitetin dhe pavarësinë tonë”.
Udhëheqësi rus ka folur në mënyrë të përsëritur për gatishmërinë e tij për të përdorur armë bërthamore që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Kërcënimi më i fundit i tillë erdhi në fjalimin e tij në muajin e kaluar, kur ai paralajmëroi Perëndimin se përfshirja në luftimet në Ukrainë do të rrezikonte një luftë bërthamore.
I pyetur në intervistë nëse ai ka menduar ndonjëherë përdorimin e armëve bërthamore në fushën e betejës në Ukrainë, Putin u përgjigj se nuk ka pasur nevojë për këtë.
Ai shprehu gjithashtu besimin se Moska do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë dhe mbajti derën e hapur për bisedime, duke theksuar se Rusia do të mbajë fitimet e saj dhe do të kërkojë garanci të forta nga Perëndimi.
“Nuk duhet të jetë një pushim për armikun që të riarmatoset, por një bisedë serioze që përfshin garancitë e sigurisë për Federatën Ruse”, u shpreh ai.
Putin tha se një rritje e kohëve të fundit në sulmet me dronë ukrainas thellë brenda Rusisë është pjesë e përpjekjeve për të prishur zgjedhjet presidenciale tre-ditore të vendit, të cilat fillojnë të premten dhe të cilat ai do t’i fitojë me shumicë, duke u mbështetur në kontrollin e ngushtë mbi skenën politike të Rusisë. ai ka krijuar gjatë qeverisjes së tij 24-vjeçare, raporton AP, përcjellë Dukagjini.
Autoritetet ruse raportuan një tjetër sulm të madh nga dronët ukrainas herët të mërkurën. Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 58 dronë në gjashtë rajone. Një nga dronët goditi një rafineri nafte në rajonin Ryazan, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke shkaktuar një zjarr. Një tjetër dron është rrëzuar teksa po i afrohej një rafinerie pranë Shën Petersburgut.
Ukraina, ndërkohë, raportoi më shumë sulme ruse herët të mërkurën.
Një sulm rus vrau dy persona dhe plagosi pesë të tjerë në qytetin Myrnohrad në rajonin lindor të Donetsk, rreth 30 kilometra (rreth 20 milje) nga vija e frontit, sipas guvernatorit Vadym Filashkin. Ekipet e shpëtimit vendas arritën të nxirrnin një vajzë 13-vjeçare nga rrënojat e një pallati që u godit nga një raketë ruse.
Një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin verior të Sumy u godit nga një dron i nisur nga Rusia gjatë natës dhe 10 persona u shpëtuan nga rrënojat, duke përfshirë tetë të cilët pësuan lëndime, sipas administratës rajonale.
Në qytetin e lindjes së presidentit Volodymyr Zelenskyy në rajonin qendror Dnipropetrovsk, numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse natën e kaluar u rrit në katër, tha guvernatori Serhii Lysak. Ai tha se 43 persona u plagosën në Kryvyi Rih, duke përfshirë 12 fëmijë, më i vogli prej tyre dy dhe njëmbëdhjetë muajsh.
“Çdo ditë qytetet dhe fshatrat tona pësojnë sulme të ngjashme. Çdo ditë Ukraina humbet njerëz për shkak të së keqes ruse”, tha Zelenskyy.