Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të presë të hënën liderin turk, Rexhep Tajip Erdogan, për bisedime në vendpushimin e Detit të Zi të Soçit, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Më parë këtë javë, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, priti homologun e tij turk për bisedime në Moskë.
Siç raporton AP News, Turqia në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, ndërmjetësuan një marrëveshje në korrik të vitit 2022 që i lejoi Ukrainës të transportonte grurë dhe produkte të tjera ushqimore nga tre porte të Detit të Zi.
Një memorandum i veçantë midis OKB-së dhe Rusisë, i rënë dakord në të njëjtën kohë, u zotua të kapërcejë pengesat për dërgimin e ushqimit dhe plehrave nga Moska në tregjet botërore.
Kujtojmë se lufta në Ukrainë nisi në shkurt të vitit të kaluar. Që atëherë, me mijëra kanë humbur jetën dhe me mijëra janë detyruar të shpërngulen.