Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi për herë të dytë në dy muaj qendrat e komandës së forcave ruse që luftojnë në Ukrainë, thanë zyrtarët. Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vizitoi trupat pranë vijës së frontit.
Vizitat, në provinca të ndryshme, synojnë të forcojnë vendosmërinë e ushtarëve ndërsa lufta i afrohet muajit të 14 dhe Kievi përgatitet për një kundërsulm të mundshëm, me armë të furnizuara nga Perëndimi. Disa nga armatimet më të rëndësishmet duket se kanë mbërritur së fundmi në Ukrainë.
Faqja në internet e qeverisë federale të Gjermanisë renditi të martën sistemin Patriot të raketave tokë-ajër, si ndër artikujt ushtarakë të dërguar në Ukrainë gjatë javës së kaluar.
Për muaj të tërë Ukraina ka kërkuar me ngulm nga aleatët e saj sistemin e raketave Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, dhe duket se Gjermania ishte e para që bëri dërgesë, shkruan VOA.
Zëdhënësi i forcave ajrore ukrainase, Yurii Ihnat, nuk pranoi të konfirmonte të martën se një sistem raketash Patriot ishte në Ukrainë, njoftoi media lokale RBC-Ukraine, ndërsa deklaroi se marrja e raketave do të ishte një ngjarje historike, duke i mundësuar ukrainasit që të eliminojnë objektivat ruse nga një distancë më e largët.
Ndërkohë, pamjet e publikuara nga Kremlini tregojnë presidentin Putin ndërsa arrin me helikopter në komandën e forcave ruse në provincën Kherson në lindje të Ukrainës. Udhëheqësi rus shihet tek udhëton me helikopter për në selinë e Gardës Kombëtare të Rusisë në provincën Luhansk në lindje të Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vizitat u zhvilluan të hënën.
I veshur me një kostum të errët, udhëheqësi rus mori pjesë në takime me udhëheqësit e lartë ushtarakë në të dy ndalesat. Vendndodhja e komandave ushtarake nuk u njoftua, duke e bërë të pamundur vlerësimin se sa afër ishin me vijën e frontit. Po ashtu, ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur vërtetësia e videos.
Të martën, presidenti Zelenskyy bëri udhëtimin e tij të fundit duke vizituar njësitë në Avdiivka, një qytet lindor në provincën Donetsk ku po zhvillohen beteja të ashpra. Ai u informua mbi luftën dhe shpërndau medalje për luftëtarët.
Vizitat e presidentit Zelenskyy në zonat e shkatërruara nga agresioni rus u shtuan muajin e kaluar ndërsa ai udhëtoi me tren në pjesë të ndryshme të vendit.