Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vizitojë dy shtete të vogla ish-sovjetike në Azinë Qendrore gjatë kësaj jave.
Kështu ka njoftuar televizioni shtetëror rus të dielën, ku theksohet se ky do të jetë udhëtimi i parë i njohur i udhëheqësit rus jashtë vendit që kur ai urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës.
Sulmi rus ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt ka shkaktuar vrasjen e mijëra njerëzve, zhvendosjen e miliona njerëzve të tjerë dhe ka çuar në sanksione të rënda financiare nga Perëndimi.
Për të njëjtat, presidenti Putin thotë se janë një arsye më shumë për të ndërtuar lidhje më të forta tregtare me fuqi të tjera si Kina, India dhe Irani, shkruan VOA.
Pavel Zarubin, korrespondenti i televizionit shtetëror “Rossiya 1” në Kremlin, ka thënë se Putini do të vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian Joko Widodo për bisedime në Moskë.
Në Dushanbe, Vladimir Putin do të takohet me Presidentin e Taxhikistanit Emomali Rahmon, një aleat i ngushtë rus dhe sundimtari më jetëgjatë i një shteti ish-sovjetik.
Në Ashgabat, ai do të marrë pjesë në një samit të vendeve të Kaspikut, ku do të jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e Azerbajxhanit, Kazakistanit, Iranit dhe Turkmenistanit, është shprehur Zarubin.
Udhëtimi i fundit i njohur i Putinit jashtë Rusisë ishte një vizitë në Pekin në fillim të shkurtit, ku ai dhe presidenti kinez Xi Jinping nënshkruan një traktat miqësie “pa kufij” disa orë përpara se ata të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.
Ukraina e ka quajtur pushtimin e territoreve të saj nga Rusia një rrëmbim toke të stilit perandorak.