Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin e Mikhail Gorbachev, liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik, ka bërë të ditur Kremlini zyrtar.
Gorbachevi, i cili vdiq të martën në moshën 91-vjeçare , gjithashtu nuk do të merrte një funeral zyrtar shtetëror, tha një zëdhënës i Kremlinit, duke e bërë atë liderin e parë që nga Nikita Hrushovi që nuk i jepet ky nder.
Zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se kufizimet e orarit nënkuptonin se Putini nuk do të merrte pjesë në një ceremoni publike të lamtumirës në Shtëpinë e Sindikatave të Moskës, ose në funeralin në varrezat Novodevichy të shtunën.
“Fatkeqësisht, orari i punës së presidentit nuk do ta lejojë atë,” ka thënë Peskov.
Putin i bëri nderimet e tij ndaj liderit sovjetik të enjten në mëngjes, duke lënë lule pranë arkivolit të Gorbaçovit në sallën e zisë së spitalit klinik qendror të Moskës.
Pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror, treguan presidentin duke vendosur një buqetë me trëndafila të kuq në një arkivol të hapur pranë një portreti të Gorbachev.
Udhëheqësi i Kremlinit u përkul disa herë duke bërë shenjën e kryqit. Ishte hera e parë që trupi i Gorbaçovit u shfaq para publikut pas vdekjes.
Ceremonia e lamtumirës së Gorbachev do të përmbajë “elemente të një funerali shtetëror, siç është një roje nderi”, ka shtuar Peskov, shkruan The Guardian.
Ai bëri të ditur se ceremonia i varrimit do të organizohet, dhe qeveria do të ndihmojë në këtë organizim.
Putin kishte një marrëdhënie të tensionuar me Gorbachev, i cili inicioi politika që përfundimisht çuan në rënien e Bashkimit Sovjetik. Putin e ka quajtur rënien e BRSS “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.
Ndërsa, pasi Vladimir Putin erdhi në pushtet, Gorbachev u bë një kritik i zëshëm, duke e akuzuar atë për drejtimin e një regjimi gjithnjë e më represiv.
Vdes Mikhail Gorbachev, personi që i dha fund Luftës së Ftohtë