Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar lirimin e një shtetasi amerikan nga burgu në Rusi, gjatë takimit me të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, të mërkurën në Shën Petersburg.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit po afrohen gjithnjë e më shumë.
Trumpi i kishte kërkuar më herët Putinit lirimin e Stephen Hubbardit, 74-vjeçar, ish-mësues që kishte kaluar më shumë se katër vjet në burgjet ruse, pasi ishte dënuar për akuza se kishte luftuar si mercenar në anën e Ukrainës.
Lirimi i Hubbardit shihet si një tjetër lëvizje e llogaritur e Moskës për ta afruar më tej Trumpin me qëndrimet e Putinit për Ukrainën, ndërsa presidentit amerikan i ofron një sukses diplomatik para zgjedhjeve të mesmandatit, raporton The Guardian.
Hubbardi u lirua në mënyrë të njëanshme nga Rusia, pa qenë pjesë e ndonjë shkëmbimi të të burgosurve, siç ka ndodhur shpesh në rastet e mëparshme të lirimit të shtetasve amerikanë të ndaluar në këtë vend.
Pas njoftimit për lirimin, Trumpi shkroi në rrjetin e tij social, Truth Social, se vendimi erdhi pas një kërkese që ia kishte bërë drejtpërdrejt Putinit javën e kaluar.
“SHBA-ja, nga respekti për presidentin Trump, nuk u detyrua të jepte asgjë në këmbim – një situatë e paprecedentë për Rusinë. Nuk ishte i nevojshëm asnjë shkëmbim për këtë lirim”, shkroi Trumpi.
Ndërkohë, Witkoffi e lavdëroi Putinin gjatë takimit në Pallatin Konstantin në Shën Petersburg, duke e cilësuar atë si humanitar.
“Ju flisni shumë për presidentin tim, presidentin Trump, si humanitar. Edhe ju jeni humanitar, zotëri, dhe ju përshëndes për këtë”, i tha Witkoffi liderit rus.
Ai gjithashtu përcolli falënderimet e Trumpit për një marrëveshje të diskutueshme që mundëson rifillimin e eksporteve ruse të naftës dizel drejt SHBA-së.
Qëndrimi i përzemërt i Witkoffit ndaj Putinit ishte në kontrast të theksuar me retorikën gjithnjë e më armiqësore të zyrtarëve të lartë amerikanë ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Trumpi e ka kritikuar vazhdimisht Zelenskyyn, duke kërkuar largimin e tij dhe duke e paraqitur si pengesën kryesore për arritjen e paqes.
Witkoffi kishte udhëtuar drejt Rusisë nga Osloja, ku një ditë më parë ishte takuar me Zelenskyyn dhe liderë evropianë, në përpjekje për t’u dhënë shtysë negociatave të bllokuara. Pushtimi i plotë rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Gjatë pjesës së takimit të transmetuar në televizion, Witkoffi i tha Putinit se kishte sjellë dokumente që përmbanin ide për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Kemi sjellë disa dokumente. Në të vërtetë, janë disa ide, një lloj marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat mund t’i lexoni kur të keni kohë”, deklaroi ai.
Kjo ishte vizita e nëntë e Witkoffit në Rusi që kur Trumpi e ngarkoi me detyrën për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës.
Tensionet e fundit mes Uashingtonit dhe Kievit u përshkallëzuan pas vendimit të papritur të Trumpit për të hequr sanksionet ndaj naftës dizel ruse, si pjesë e një marrëveshjeje me Putinin. Më pas, Trumpi kërkoi zëvendësimin e Zelenskyyt, pasi Ukraina refuzoi t’i ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Ndërkohë, Kievi është ankuar për ndërprerje në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me SHBA-në dhe për kufizime në qasjen në Starshield, versionin e rrjetit satelitor Starlink të Elon Muskut, i përshtatur për përdorim ushtarak.
Të martën, Zelenskyy tha se Uashingtoni kishte rifilluar t’i dërgonte Ukrainës paralajmërime paraprake për sulmet raketore ruse, pas takimit të tij me Witkoffin në Oslo.
Megjithatë, kufizimet ndaj Starshield-it vazhdojnë, ndonëse nuk është e qartë se kush i ka urdhëruar ato. Gazeta The Wall Street Journal raportoi të martën se vetë Musku kishte urdhëruar ngadalësimin e shërbimit, ndërsa agjencia Reuters, duke cituar burime, raportoi se udhëzimi kishte ardhur nga brenda Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana tjetër, Putini vazhdon të këmbëngulë në objektivat maksimaliste të luftës, përfshirë kërkesën që Rusia të marrë kontrollin e plotë mbi rajonin ukrainas të Donetskut, në lindje të vendit.
Gjatë takimit, lideri rus theksoi gjithashtu mundësitë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike mes Rusisë dhe SHBA-së pas përfundimit të luftës. Ai sugjeroi se Moska mund të rrisë ndjeshëm eksportet e plehrave kimike drejt tregut amerikan.
Zyrtarët rusë njoftuan se cisterna e parë me naftë dizel drejt SHBA-së pritet të niset të enjten, si pjesë e një dërgese fillestare prej rreth 300 mijë tonësh.
Megjithatë, analistët e energjisë dhe tregtarët kanë vënë në pikëpyetje nëse marrëveshja e Trumpit për rifillimin e përkohshëm të importeve ruse të naftës dizel do të sjellë lehtësim të ndjeshëm për konsumatorët amerikanë para zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas tyre, sasitë e përfshira në marrëveshje janë tepër të vogla për të lehtësuar ndjeshëm mungesën e furnizimit në tregun global të energjisë.