Shkrimtari rus Michail Chichkine në librin “Paqja ose lufta. Refleksione mbi «botën ruse»”, i përkthyer së voni në gjuhen franceze, e citon këtë thënie të Putinit: «Gënjeshtra është një mjet i ndikimit; unë i kundërvihem botës së sunduar nga SHBA-ja duke u gënjyer drejt në sy».
Putini, si kuadër i regjimit komunist sovjetik, gjatë viteve, ka ushtruar praktika politike në të cilat teknikat e gënjeshtrave kanë specifikat e tyre por qëllim i këtyre është i njëjtë: ai don ta bind opinionin evroperëndimor për «vërtetësinë» e pikëpamjeve të tij. Në fjalimet e tij ai e realizon përmbysjen e perceptimit të ngjarjeve konkrete, duke i emërtuar këto me fjalë e terma që e ndryshojnë domethënien e tyre. Kësodore Putini e pat «shpjeguar» agresionin mbi Ukrainën si luftë «çlirimtare» kundër një «pushteti nazist». Në fakt, ky ridefinim i realitetit synon të rrënoj kriteret logjike me të cilat e bëjmë dallimin midis një krimi dhe një aksioni çlirimtar.
Isabelle Mandraud, specialiste e Rusisë së sotme, thekson në të përditshmen «Le Monde» se disa muaj pas agresionit ushtarak mbi Ukrainën u hetua një ngritje e interesimit për romanin e Orwellit «1984» (ku thuhet, fjala vjen se “lufta është paqja”) i cili «përshkruan një botë totalitare në të cilën përzihen elementet e nazizmit dhe stalinizmit». Ndërkaq, Vera Grantseva, ish-profesore në Universitetin e Shën Petersburgut shkruan se «sistemi rus i gënjimit permanent ka fituar një forcë aq të madhe sa ai përshkon të gjitha nivelet e pushtetit, deri te niveli më i ulët». Ajo merr një shembull konkret të këtij lloji të gënjimi: «Kur rusët ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të tyre – problem ky i shpeshtë- funksionarët publikojnë foto me vrima në asfalt që janë të riparuara me Fotoshop!».
Hannah Arend në librin e saj mbi totalitarizmin theksonte: «Në një sistem totalitar, praktika e gënjeshtrës dallohet; ajo nuk gënjen vetëm për faktet, por shfaq një përbuzje absolute për të gjitha faktet».
Nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët
Ngjashëm, Vuçiqi, si nxënës i Putinit, sot orvatet ta paraqesë aksionin e policisë së Kosovës kundër veprimeve terroriste të policisë serbe si krim i cili nuk mund të arsyetohet. Gënjeshtra e Vuçiqit synon ta mistifikoj «realitetin» e perceptimit të situatës me të cilën u ballafaquam së voni në veri të Kosovës.
Në anën tjetër zëdhënësi i BE-së në Kosovë si dhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve deklaruan qartazi se «nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët». Këto deklarata janë të rëndësishme, ngase e pengojnë përmbysjen e realitetit dhe mistifikimin e ngjarjes në veri të Kosovës; ky qëndrim mban në vete kriterin me të cilin bëhet dallimi midis krimit dhe mohimit të krimit.
Ndërkaq presidenti i Serbisë, Vuçiq shpalli tre ditë zie për vrasjen e terroristëve serb. Vuçiqi, zaten, përvetësoi një pjesë të konsiderueshme të skemave ideologjike të Millosheviqit: dihet se ky përdori temën e «pakicës serbe të rrezikuar» si arsyetim për agresionet ushtarake kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Dihet po kështu se, Hitleri e pat përdorë këtë skemë të pakicës gjermane në Çeki për agresionin ushtarak ndaj saj, ngjarje kjo që shënoi hapjen e Luftës së Dytë Botërore.