Qalaj kritikon ekzekutivin, thotë se konkursi për policët serbë do të përballet me shumë sfida

Gjersa thotë se policët serbë u larguan nga PK-ja me vetëdëshirë, Qalaj thotë se konkursi që është hapur për zëvendësimin e tyre ua pamundëson atyre që të kthehen. Ndërkaq, ky i fundit thekson se me informatat poseduese të tij, një numër i vogël kanë aplikuar për të qenë pjesë e PK-së dhe se vet konkursi do të ketë sfidat e tij

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe njëherit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj

Më 4 janar të këtij viti, Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë për të gjitha minoritetet në Kosovë, me qëllim të plotësimit të numrit të pjesëtarëve policorë në Mitrovicën e Veriut.

Ndonëse e mbështet, ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe njëherit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se një presion nga ana e Serbisë vërehet dukshëm për të mos patur aplikantë nga komunitetet.

“Fillimisht, unë e mbështes vendimin e drejtorisë së përgjithshme që të hapet konkurs për pranimin e policëve të rinj respektivisht për zëvendësimin e policëve të cilët me vetdëshirë i kanë lëshuar institucionet e Kosovës pra, në këtë rast Policinë e Kosovës. Edhe pse e di që ky konkurs do të përcillet me shumë sfida, realisht të rinjët dhe të rejat të komuniteteve që jetojnë atje do t’a kenë bukur vështirë që të aplikojnë, që të marrin vendim të aplikojnë në këtë konkurs për shkak të presionit të madh realisht që janë duke i bërë që nga Presidenti i Serbisë e të gjitha strukturat serbe e të gjitha strukturat që janë në pjesën veriore duke përfshirë edhe politikën serbe edhe pjesëtarët e krimit të organizuar e kështu me radhë. Pra, ata janë duke bërë presion që sa më pak apo fare pak mos të aplikojnë të rinj dhe të reja për Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Gjersa thotë se policët serbë u larguan nga PK-ja me vetëdëshirë, Qalaj thotë se dhe konkursi që është hapur për zëvendësimin e tyre ua pamundëson atyre që të kthehen. Ndërkaq, ky i fundit thekson se me informatat poseduese të tij, një numër i vogël kanë aplikuar për të qenë pjesë e PK-së.

“Janë duke u bërë kërcënime të vazhdueshme dhe trysni, domethënë edhe strukturat e një shteti të huaj, pra Serbisë por me elementet që i kanë në Veri që sa më pak njerëz të aplikojnë në këtë konkurs. Unë e di që ata do të ballafaqohen me problemin ndoshta edhe në çështje të sigurisë, jo vetëm ata por edhe familjet e tyre. Është mjaft sfiduese…Me informatat që unë i kam, është një numër fare i vogël i njerëzve që kanë aplikuar qoftë në mënyrën fizike apo online dhe na mbetet të shpresojmë që të kemi aplikime sa më shumë”, ka deklaruar Qalaj.

Kritikat për Qeverinë Kurti

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe njëherit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, aktualisht në krye me Kryeministrin, Albin Kurti ka zhvilluar një praktikë që institucionet e vendit t’i udhëheq me ushtrues detyre.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, të transmetuar në “FIVE”, Qalaj ka thënë se një praktikë e tillë nuk po zhvillohet vetëm në Policinë e Kosovës dhe se Ministria e Punëve të Brendshme do duhej të zgjidhte një çështje të tillë urgjentisht.

“Kjo qeveri ka bërë praktikë që shumë institucione t’i udhëheq me ushtrues detyre. Nuk është vetëm drejtori i policies por duke filluar nga prokuroria e shtetit e shumë institucione të tjera, mendoj që nuk është e mirë dhe nuk është e shëndoshë që institucionet të mbesin papozitën kyçe, në këtë rast Policia pa drejtor, kryeprokurori i shtetit të jetë ushtrues detyre jo taman me mandate si duhet dhe unë mendoj që urgjentisht, Ministria e Punëve të Brendshme duhet sa më shpejt të bëjë përzgjedhjen e drejtorit apo në rast se ka ndonjë lëshim ligjor të konkursit, ta përsërit konkursin mirëpo duhet sa më shpejt ta kemi drejtorin e Policisë. Ju e dini që kanë qenë 5 kandidatë, sipas informative të mija tashmë kanë mbetur tre dhe besoj që shumë shpejt do duhej të zgjidhej drejtori i Policisë”, ka deklaruar Qalaj.

Si pjesë e komisionit të Sigurisë, Qalaj ka thënë se ky komision ka filluar tashmë punën e tij për vitin 2023 dhe çështja e drejtorit të Policisë së Kosovës do të trajtohet nëse e njëjta nuk zgjidhet.

Tensionet në Veri

Muajt e fundit të vitit 2022 ishin muaj të tensionuar në Kosovë si shkak i barrikadave të vendosura në Veri të Mitrovicës, situatë e cila sipas Qalajt, nuk është e tejkaluar.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të themi se janë të tejkaluara duke qenë se ato situata janë të inskenuara nga jashtë, janë nga shteti i Serbisë i cili tash në mënyrë të hapur është duke manipuluar me pjestarët e komunitetit serb që jetojnë në katër komunat veriore dhe me strukturat qoftë politike qoftë struktura të tjera kriminale dhe mendoj që kthimi pas do të ishte i rëndë edhe për institucionet e Kosovës dhe për komunitetin atje”, ka deklaruar ai.

Gjersa thotë se ligji dhe rendi në Veri të vendit bëhej ngabandat kriminale serbe, Qalaj ka theksuar se përpjekja e Qeverisë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar duhet të vazhdojë ashtu që një situatë si ajo e barrikadave të mos përsëritet.

“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë të pamundurën që me faktorët ndërkombëtarë të bëjnë përpjekje që të mos viem deri tek një situtatë e tillë dhe mos të harrojmë që realisht, ne për 20 ditë e kemi dorëzuar sovranitetin e vendit. Pra Qeveria e Kosovës e ka dorëzuar sovranitetin e vendit tek pala serbe. E dini që në atë periudhë kohore ka qenë Serbia ajo e cila ka ‘sunduar’ në atë pjesë, tëthem kushtimisht, sepse policia e Kosovës ka qenë e bllokuar të lëvizë sidomos në pjesën e rrugës për Jarinje dhe stacionin policor të Leposaviqit dhe rendin edhe ligjin e kanë bërë bandat kriminale dhe individë të ndryshëm të armatosur në atë pjesë…”, ka deklaruar Qalaj.

Ndryshe, që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Ndërkaq më 28 dhjetor, autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak për Dejan Pantiq.

Pas kësaj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika