Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, beson se nuk ka pasur kurrfarë negocimi midis zyrtarëve të KFOR-it dhe grupit terrorist serb në Banjskë.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, deklaratën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave e ka quajtur joserioze.
Sipas tij, nga e njëjta do të dëmtohet vetë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Deklaratën e tij, Qalaj thotë se e bazon në bisedat individuale që ka pasur me pjesëtarë të Njësive Speciale të Kosovës.
“Unë kam qenë i befasuar nga ajo pjesë e raportit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili thoshte se në Banjskë ka pasur negociata në mes të ushtarëve të KFOR-it dhe grupit terrorist i udhëhequr nga Millan Radojqiqi dhe unë që nga fillimi mendoj që nuk ka pasur negociata, unë e kam mbajtur gjithmonë këtë qëndrim duke e njohur si reagon dhe si vepron Policia e Kosovës e posaçërisht reagimin e njësive speciale, dhe jam shumë i sigurt në atë që po e them dhe po ashtu deklaratën time e bazoj edhe në bisedat individuale që kam pasur me pjesëtarë individualë të njësive speciale që ka qenë pjesë e këtij operacioni që nuk ka pasur kurrfarë negocimi në mes të KFOR-it dhe grupit terrorist. Ndërsa sa i përket raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe demantimet që i bëri KFOR-i, mendoj që më së shumti ka dëmtuar vetë ata që e kanë lëshuar këtë raport. Nuk ka qenë një deklaratë serioze dhe mendoj që nuk do të merret parasysh”, tha ai, përcjell portali Dukagjini.
Deputeti Qalaj vlerëson se ishte thjesht “fat” i terroristëve që arritën të shpëtojnë dhe të ikin nga territori i Kosovës, pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
“Ato pamje që janë parë nga droni ku duket që realisht po tërhiqen shumë lehtë nga vendi i krimit, mendoj që nuk qëndrojnë për shkak se ju keni parë në vazhdimësi që Policia e Kosovës godet me breshëri plumbash terroristët, ndërsa thjesht ka qenë fat i tyre që kanë shpëtuar ashtu siç kanë shpëtuar”, shtoi ai.
Ndryshe, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka ndryshuar një pjesë të tekstit nga raporti për Kosovën ku ndër tjerash për sulmin në Banjskë thuhej se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë nga atje.
Në tekstin e ndryshuar më 28 maj, thuhet se “gabimisht” është cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit të armatosur serb nga Banjska.
“Teksti është përditësuar më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti kishte cekur gabimisht se personeli i KFOR-it kishte negociuar për tërheqjen e grupit të serbëve të armatosur nga rrethimi në Banjskë”, thuhet në tekstin e përditësuar, përcjell portali Dukagjini.
Pjesë nga ky raport u përmendën edhe në një draftraport të prezantuar gjatë fundjavës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
E kjo bëri që KFOR-in të reagojë.
Në reagimin e këtij misioni të NATO-s në Kosovë, të dielën, thuhet se kjo nuk është e vërtetë, pasi “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.