Ndryshimet e mundshme në politikën globale dhe një marrëveshje për Ukrainën mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan, veçanërisht në raportet Kosovë-Serbi.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka theksuar se një nga sfidat kryesore është tërheqja e mundshme e trupave amerikane nga Evropa, e cila do të ndikonte në arkitekturën e sigurisë në rajon.
Sipas Shalës, Kosova duhet të tregojë kujdes dhe të avancojë diplomacinë e saj për të siguruar pozicionin ndërkombëtar.
“Padyshim që trajektoret e zhvillimeve do të determinojnë shumë procesin. Ne kemi pasur edhe ndikimi gjerman Bild, e cila ndër të tjera potencoi se pas zhvillimeve të ndryshme, tërheqja e trupave amerikane nga territori i Evropës do të jetë një sfidë e madhe. Aty ishte përmendur edhe komanda evropiane në Napoli, e cila është drejtpërdrejtë komanda kryesore të forcave që janë në Ballkanin Perëndimor. Pra padyshim një ndryshim eventual i diskurseve apo themeleve që jemi mësuar gjatë viteve të ’90-ta t’i shohim, e dëshmon faktin që Kosova duhet të jetë vëmendshme dhe e kujdesshme që në nivelin diplomatik të vazhdojë avancimin drejt urave të reja të bashkëpunimit. Njëkohësit mos të stagnojë në arritjen e kërkesave të tyre. Në qoftë se ti je nën një status quo politike në brendshme, ku në anën tjetër Serbia është duke avancuar, madje duke influencuar institucionet brenda departamentin amerikan të Shtetit. I kemi 60 diplomatë serbë të akredituar në Uashington DC. Që janë duke e kryer një punë të jashtëzakonshme. Ne e kemi ambasadorin me dy punonjës. Kjo e dëshmon një mos seriozitet diplomatik”, ka thënë Shala.
Nga ana tjetër, profesori Fatmir Çollaku ka vënë theksin në zhvillimet e brendshme në Serbi, duke theksuar se kriza politike dhe protestat e studentëve mund të shënojnë fundin e epokës së Aleksandar Vuçiqit.
Ai gjithashtu ka shprehur shpresën se marrëveshjet mes SHBA-ve, Francës dhe Britanisë së Madhe do të ndikojnë në uljen e politikës së izolacionizmit që presidenti Donald Trump ka promovuar, duke rikthyer aleancën transatlantike në intensitetin e nevojshëm.
“Është rrethanë pak lehtësuese për Kosovën, që në Serbia janë ende problemet e brendshme kulmore. Jo vetëm protestat e studentëve, por janë edhe disa zëra të artikuluar politike, që shënojnë edhe ndoshta fundin e qeverisjes së Vucicit ose kësaj klime, këtij koncepti politik. Po shpresoj shumë që marrëveshja që do të bëhen tani mes SHBA-ve, Francës DHE Britanisë së Madhe. Po besoj shumë që do të bjerë intensiteti i këmbëngulësisë së Trumpti për ta lënë Evropën në një farë mënyre në mëshirën fatit. Prapë do të ketë një rikthim të atij intensitet të nevojshëm, të aleancës natyrale”, ka thënë Çollaku.