Florian Qehaja ka pranuar të mërkurën detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka njoftuar se Qehaja është pritur në takim nga i ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu.
“Në prani të diplomatëve të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, po ashtu, edhe të Konsullatës të Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strugë, si dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në MARRI është pritur Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Florian Qehaja, i cili zyrtarisht mori detyrën nga z. Sadriu”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Ndërsa, ambasadori Qehaja ka falënderuar Sadriun si dhe diplomatët e tjerë për pritjen e ngrohtë, gjithashtu u zotua për bashkëpunim të mirëfilltë, duke vlerësuar lartë angazhimet në interes të Republikës së Kosovës.
Pritet që ambasadori Qehaja t’i dorëzojë kopjet e letrave kredenciale te Ministri i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.