Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e ligjeve në Kosovë dhe mungesën e përgjegjësisë për këtë dështim.
Gjatë një interviste në emisionin “FIVE” të Dukagjinit, Qelaj theksoi se problemi kryesor që po përballet Kosova është mungesa e sundimit të ligjit, i cili duhet të garantohet përmes zbatimit të legjislacionit të miratuar nga vetë shteti.
“Problematika e parë që ndodhë në Kosovë është sundimi i ligjit përmes zbatimit të legjislacionit që e harton vetë Kosova. Edhe mungesa e zbatimi të ligjit vjen zi rezultat, fillimisht i paaftësisë së shteti me kriju mekanizma që ligjet që i aprovon me i zbatu në përpikëri me atë që është synim dhe e përcaktuar në ligj”, ka thënë Qelaj.
Sipas Qelajt, kjo situatë është rezultat i paaftësisë së institucioneve për të krijuar mekanizma efektivë për zbatimin e ligjeve, si dhe mungesës së hallkave mbikëqyrëse.
Ai theksoi se në rastet kur ligji nuk zbatohet, pasojat janë masive, shkeljet janë të shumta dhe askush nuk mban përgjegjësi.
“Por në anë tjetër ka edhe mungesë të hallkave mbikëqyrëse dhe kjo pastaj vjen deri situata kur në Kosovë krijohet një bindje që thonë se ‘legjislacioni është i mirë, por nuk zbatohet dhe askush nuk del para përgjegjësisë’… për shembull nëse secili prej nesh kryen një veprim të kundërligjshëm, reagon policia, prokuroria reagon krejt institucionet. Merr dënimin që është i përcaktuar për atë veprim dhe konsiderohet si vepër penale, e merr edhe tiketën e personit që e kryer krim. Ndërsa kur nuk zbatohet ligji dështimi është më masiv, shkeljet janë më masive, pasojat janë shumëfishtë më të mëdha dhe nuk askush që deri sot ka dal para përgjegjësisë. Çfarëdo natyre qoftë më dhënë llogaridhënie për dëshminë e zbatimi të ligjit”, ka shtuar ai.
Qelaj kritikoi Kuvendin për rolin e tij të dobët në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe ligjshmërisë së institucioneve publike.
“(këtu) dështojnë të gjitha hallkat e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes. Roli kyç në mbikëqyrje është tek Kuvendi, i cili me ligj, Kushtetues i ka vendos vetes një detyrë me monitoru dhe mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe ligjshmërinë e autoriteteve publike. Deri sot kemi pasë se nuk kemi parë një parlament të fuqishëm, që kishte me i vendos para përgjegjësisë autoritet ekzekutive qoftë të niveli të lartë ose të tjera”, ka theksuar Qelaj.