Qëndrimi në heshtje i presidentes Osmani për takimin e Ohrit

Presidentja Osmani ka vendosur që jo shumë drejtpërdrejtë ta përçojë mesazhin e saj për rezultatet e takimit ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandër Vuçiq në Ohër. Për këtë mënyrë të komunikimit, në drejtim të saj ka pasur kritika. Ndërkohë, në një përgjigje që këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i ka dhënë Dukagjinit, është cituar presidentja të ketë thënë se ajo sikurse ka ndodhur tash e 12 vjet, konsideron se Serbia do të vazhdojë që t’i shkelë marrëveshjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Rezultati i takimit të së shtunës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq u komentua nga shumë liderë evropian e botërorë, përfshirë deklaratën që e lëshoi Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Por, e para e shtetit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të komentuar takimin e Ohrit.

Në faqet zyrtare në rrjetet sociale të Presidencës nuk ka ndonjë qëndrim mbi takimin e së shtunës.

Madje, as në emailat zyrtarë të redaksive mediale nuk ka ardhur ndonjë njoftim mbi këtë qëndrim.

Ndërkohë, televizioni është interesuar që të marr një përgjigje se pse nuk ka një koment rreth takimit të Ohrit.

Nga kabineti i Vjosa Osmanit janë përgjigjur që kanë dhënë përgjigje për media të caktuara e të cilat kanë pyetur për këtë Zyrën e Presidentes pas së shtunës, e kështu të njëjtën ia kanë dhënë edhe RTV Dukagjinit.

Aty thuhet Kosova ka pritje që të realizohen zotimet e aleatëve në lidhje me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe njohjet.

“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.  Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet. Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e presidentes Osmani.

Ndërkohë, për një çështje kaq të rëndësishme, kërkohet që Osmani të ketë reagimin publik në faqe zyrtare apo në konferencë për media.

“Për një çështje të tillë si dialogu, qëndrimet e presidentes nuk mund të jenë vetëm për një media, zakonisht këto qëndrime shkojnë për të gjitha mediat dhe me një format të barabartë. Znj Osmani ka pasur një deklarim para takimit të Ohrit, mirëpo pas këtij takimi nuk ka pasur një qëndrim të qartë sic jepet zakonisht në këtë rast”, ka thënë Tomorr Avdija, njohës i protokollit/komunikimit.

Televizioni po ashtu është interesuar të dijë edhe për qëndrimin e presidentes Osmani sa i përket çështjes së vetëmenaxhimit dhe komplet aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes, mirëpo të njëjtit kanë heshtur rreth kësaj pyetje.

Këtë mënyrë të komunikimit që ka bërë presidentja, për dakordimin mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq e kanë vërejtur edhe opozita.

“Ndoshta kjo ka të bëjë me marrëdhëniet personale mes presidentes së vendit dhe kryeministrit. Madje ne kemi informacion që nuk janë duke komunikuar fare. Por pavarësisht marrëdhënieve personale kjo mund ta dëmtoj shtetin sidomos kur kemi të bëjmë me një diskutim sikur takimi i Ohrit”, ka thënë Rashit Qalaj nga PDK.

Ndërkohë, Presidentja Osmani në një qëndrim të saj para marrëveshjes së Ohrit, në deklarimin e përbashkët me emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se një marrëveshje e mundshme Kosovës do t’i sillte të mira në rrugën e saj drejt institucioneve ndërkombëtare dhe integrimit.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika