Qenësia e Zarathustrës së Niçes në shqip nga Taulant Hatia

Përkthyesi dhe autori i dy librave, Taulan Hatia, për portalin Dukagjini ka rrëfyer për përkthimin e tij më të fundit, veprën e madhërishme të filozofit Fridirih Niçe, "Kështu foli Zarathustra"

"Thus spoke Zarathustra" (foto ilustrim : Jacktrick)

“Njeriu është diçka që duhet të mposhtet. Njeriu është një litar, i lidhur midis kafshës dhe mbinjeriut – një litar mbi një humnerë. Ajo që është e madhe te njeriu, është se ai është një urë dhe jo një fund”, kështu shkruan filozofi Fridrih Niçe në librin e tij “Kështu foli Zarathustra”.

Kjo është njëra nga thëniet që mund ta gjejmë në librin e Niçes, “Kështu foli Zarathustra”, ku Niçe kumton lajmin për vdekjen e Zotit, dhe na tregon rrugën drejt Mbinjeriut.

Ky libër është qenësuar në gjuhën shqipe nga përkthyesi dhe autori i dy librave, Taulant Hatia, i cili për Portalin Dukagjini na tregon frymëzimin se si erdhi deri te vendimi që të përkthejë librat e filozofit Fridrih Niçe, filozofia e të cilit njihet si të filozofuarit me çekiç.

“Fridrih Niçe ka qenë autor i ndaluar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Pas rënies së këtij regjimi, u shfaq qartë “uria” për shumë autorë të ndaluar, mes tyre edhe Niçja me filozofinë e tij të ashtuquajtur pa ndonjë bazë si “nihiliste”. Kurse angazhimi im në përkthimin e tij nuk erdhi aq shumë për shkak të autorit sesa për shkak të prirjes që kisha për gjuhët e huaja dhe për gjuhën shqipe. Më pas, kur rashë në kontakt me veprën e Niçes, me idetë, me logjikën e çeliktë, me stilin e tij ironik, por edhe me guximin e tij për të qenë kundër të gjithëve, pëlqimi ishte aq i madh saqë doja që të gjithë ta njihnin, siç po e njihja unë. Ndoshta kjo ka qenë një nga shtysat pse fillova në vitin 1997-1998, dhe përktheva më pas, ndër vite, disa nga librat e tij më të njohur”, tregon Hatia.

Por, këtë libër e kanë përkthyer edhe disa të tjerë, siç janë i Lluka Qafoku dhe Perikli Jorgonit, por çka është ajo që e dallon përkthimin e Hatisë nga këta të fundit.

Hatia bën disa dallime, “Lluka Qafoku dhe Perikli Jorgoni janë përkthyes të shquar dhe autorë të talentuar shqiptarë. Përkthimi i tyre i vitit 1996, i librit “Kështu foli Zarathustra” u prit me entuziazëm nga lexuesit e kësaj fushe, dhe kur e kam lexuar, jam mrekulluar. I njëjti libër është përkthyer në vitin 2008 nga dy bashkautorë të tjerë, Ilirjana Angoni dhe Dritan Thomollari. Pra, dallimi i parë i përkthimit tim është se ai është kryer nga ‘një dorë’”.

“Dallimi  i dytë, besoj se ka të bëjë me rendin e përkthimit të librave. Kur u botua në 1996-në, ‘Zarathustra’ mund të jetë pritur mirë, por nuk është kuptuar mirë. Ky libër është kryevepra e Niçes, nga ana e përmbledhjes së ideve më të mëdha të tij (Mbinjeriu, Zoti vdiq, shëndeti i madh, kthimi i përjetshëm, koncepti i dionisiakes, etj.), por edhe nga ana gjuhësore”, thotë ai.

Hatia ka theksuar se “Niçja vetë thotë ndërmjet shkrimeve të mia, ‘Zarathustra’ ha bukë veç. Me të i kam bërë njerëzimit dhuratën më të çmuar që mund të bëhet ndonjëherë. Ky libër, zëri i të cilit përshkon mijëvjeçarët, nuk është vetëm libri më i lartë që ekziston, libri i vërtetë i ajrit të lartësive, por është dhe më i thelli, i lindur nga pasuria e brendshme e së vërtetës, një pus i pashtershëm brenda të cilit asnjë kovë nuk zbret pa u kthyer lart e mbushur plot me ar dhe mirësi. Për t’u kuptuar mirë, duhet të kesh lexuar më parë disa nga veprat e tjera të tij. Në këtë kuptim, përkthimi im besoj se vjen në kohën dhe në rendin e duhur, i përshtatur më mirë me gjuhën aktuale dhe, shpresoj e besoj, duke qenë ai që i është përmbajtur më mirë edhe ‘shpikjeve’ gjuhësore të Niçes apo stilit poetik të të shkruarit. ‘I Gjithë Zarathustra mund të llogaritet për muzikë. Kjo vepër qëndron absolutisht më vete. Le t’i lëmë këtu mënjanë poetët: ndoshta nuk është krijuar kurrë ndonjë gjë me një bollëk të tillë force, thotë Niçja’”, shprehet përkthyesi.

Ndërsa, në dallimin e tretë, Hatia thekson se punët e mira nuk duan ngutje. Punët e mira marrin kohë.

“Së treti, punët e mira nuk duan ngutje. Niçes iu deshën 18 muaj për të shkruar Zarathustrën, pasi i kishte kristalizuar idetë për të, ndërkohë që unë e kam nisur përkthimin e këtij libri para gati 4 vjetësh, me ndërprerje të herëpashershme. Po ashtu, kam mbajtur përpara, veç origjinalit në gjermanisht, edhe përkthimet e të njëjtit libër në gjuhët franceze dhe angleze”, vazhdon Taulant Hatia.

Taulant Hatia, përkthyes

Gjersa futemi pakëz më thellë në punën e përkthyesit Hatia, ai na tregon për vështirësitë e përkthimit të një libri të një filozofi si Niçe, pasi duke pasur parasysh shkrimin e tij jo sistematik dhe nganjëherë edhe nebulotik disi në një mjegullnajë që është vështirë të kapërthesh shkrimet e tij, dhe gjithashtu duke marrë parasysh edhe “varfërinë” që kemi në terminologjinë filozofike.

Hatia thotë se “Niçe nuk është sistematik në kuptimin që, brenda një libri, shtjellon një varg të gjatë temash, por nuk mund të quhet aspak i mjegullt. Është më i hareshëm se filozofët klasikë, pa e cenuar thellësinë e asaj që kërkon të thotë. Sigurisht që vështirësia e përkthyesit përballë një autori me peshë të tillë është e madhe. E para, qëndron te vështirësia e lëndës. E dyta, te vetë procesi i përkthimit, i kalimit nga njëra gjuhë në tjetrën. Është si të zbërthesh një ndërtesë nga të gjitha tullat e trarët dhe ta ndërtosh përsëri, në një vend dhe kohë tjetër, me synimin që t’i mbetesh besnik ndërtesës origjinale”.

Dhe e treta, në rastin konkret, “Niçja nuk na shfaqet këtu vetëm si filozof, por si mjeshtër i gjuhës së vet. Ka shpikur fjalë e fjalëformime të reja, duke u renditur së bashku me Gëten, si një nga pasuruesit më të aftë të gjuhës gjermane. Ja si shprehet, duke riparë vite më vonë këtë libër ‘Le të përmblidhen në një të vetëm të gjithë shpirtrat dhe cilësitë e shpirtrave të mëdhenj: të gjithë së bashku nuk do të ishin në gjendje të bënin një fjalim të vetëm si të Zarathustrës. Para Zarathustrës nuk kishte urtësi, as studime shpirtrash, as art të të folurit. Këtu, ajo që është më e zakonshmja dhe e përditshmja, flet për gjëra të padëgjuara. Fjalia dridhet nga pasioni, gojëtaria shndërrohet në muzikë, rrufe janë projektuar drejt të ardhmeve ende të pazbuluara. Forca më e fuqishme e figurave që kanë ekzistuar deri tani është e varfër, është një lojë, përballë këtij kthimi të gjuhës në natyrën e shprehjes së figurshme’”, shprehet Hatia për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, rreth “varfërisë së termave” filozofike, dhe një bashkëpunimi nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të bëjnë diçka në lidhje me këtë dhe, gjithashtu, për shkak të dallimeve që mund të gjejmë te përkthimet nga përkthyesit e Shqipërisë dhe të Kosovës, Hatia shton “Unë nuk jam gjuhëtar i mirëfilltë, as kritik i letërsisë apo i filozofisë. Unë jam diplomuar në fushën e matematikës. Filologjia është shkencë më vete dhe ndoshta pyetja juaj mund t’u parashtrohet më mirë specialistëve të gjuhësisë. Po ashtu, e pohoj (me pak ndrojtje) që nuk kam pasur mundësi të lexoj aq sa duhet punime të përkthyesve të Kosovës në shqip. Por një nga librat e parë të përkthyer në Kosovë që kam pasur rastin të lexoj dhe ta shijoj, ka qenë përkthimi i Mensur Raifit i autorëve francezë Bodler, Rembo dhe Verlen, i vitit 1991. Me të vërtetë mjeshtëror, pavarësisht se aty gjeta fjalë e terma dialektore që vetëm ia shtojnë vlerën përkthimit. Di edhe që, kryevepra e Niçes është përkthyer në Prishtinë në 1981 me titullin ‘Kështu fliste Zarathustra’, por nuk kam pasur fatin ta lexoj”.

Përveç veprave te Niçes si “Antikrishti”, “Agu i Mëngjesit”, “Ecce Homo”, “Njerëzor, tepër Njerëzor”, “Udhëtari”, “Shndërrimi i të gjitha vlerave”, dhe së fundmi tash “Kështu foli Zarathustra”, i cili mund sipas Hatia-s të daël për publikun gjatë panairit të librit që mbahet në Tiranë gjatë muajit nëntor, ai thekson se edhe cilët filozofë të tjerë kanë përkthyer në shqip.

“Kam përkthyer ‘Procesi’ i Franc Kafkës, ose disa libra nga Khalil Gibran, nxënës i devotshëm i Niçes ky, autor libanez”, duke shtuar se ka përkthyer edhe libra “me natyrë psikologjike, sociale apo biografike, të cilat kanë brenda vetes elementë filozofikë, por nuk e kam pasur qëllim në vetvete filozofinë”, pasi sipas tij, filozofia “Është një fushë ku, vështirësia është më e madhe dhe lexuesit shumë më të paktë”.

Pra, këtu shohim se ka përkthyer edhe “Procesin” e Franc Kafkës, ku personazhi kryesor Josef K. shpëton nga “procesi” i sistemit vetëm nëpërmjet vdekjes, dhe asaj vdekje që vetë Josef K. e quan si ndonjë qen. Ndërsa, te libri i fundit i përkthyer nga Hatia, “Kështu foli Zarathustrën”, ky i fundit zbret nga mali dhe kumton lajmin për vdekjen e Zotit, dhe jep mësimin për Mbinjeriun.

Vështirësitë e përkthimit të librave të tillë është se “’Shkalla nga e cila ngjitet dhe zbret Zarathustra është e stërmadhe: ai ka parë më larg, ka dashur më larg, ka mundur më larg se çdo njeri tjetër’, thotë Niçja për personazhin e vet”.

“Por, në fakt, cili është ai që i ka bërë të gjitha këto? Është vetë autori, krijuesi i personazhit. Duke qenë një punë kaq e vështirë për autorin, atëherë është dy herë më e vështirë për përkthyesin që ta kapërcejë, që të ngjitet e të zbresë nga këto shkallë të mëdha. Gjuha origjinale shfaq shpesh të papritura, fjalë aq të harlisura e të bukura sa ke frikë mos i prish duke i përkthyer në një gjuhë tjetër”.

Më tej ai shprehet se “Ndonjë gëzim i vogël për përkthyesin është rasti i kundërt, kur gjuha e tij amtare di ta shprehë më mirë një ndjesi sesa gjuha e origjinalit. Sidoqoftë, kurrsesi përkthyesi nuk duhet të përpiqet apo të mendojë se po e zbukuron veprën origjinale. Në fund të fundit, sado i vështirë, sado sekrete, mundime dhe kënaqësi të të japë, përkthimi është zanat dhe kërkon përkushtimin e zanatçiut”.

Hatia e përfundon duke thënë se “Edhe përkthyesi, njësoj si autori, duhet të ketë brenda vetes sigurinë e brendshme që, ‘të gjithë krijuesit janë të fortë’, e thënë kjo me fjalët e Niçes”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika