Qeveria e Kosovës ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullim të vendimit për ulje të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.
Këtë për RTV Dukagjinin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ më datë 16.12.2022 ka pranuar ankesën e ushtruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndaj Aktvendimit me numër A.nr.2767/2022”, ka thënë ajo.
Ndryshe, më 2 dhjetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas njoftimit, thuhet se shtyhet ekzekutimi i vendimit i datës 23 nëntor, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor duke u bazuar në kërkesëpadinë e paditëses.
Vendimi është marrë pas padisë për masë të përkohshme që ka bërë Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me datën 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën, ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështjeje në konfliktin administrativ”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se gjykata më 2 dhjetor të këtij viti ka marrë aktvendim, me të cilin, ka aprovuar propozimin e paditëses, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar, dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të 23 nëntorit të së paditurës, Qeveria e Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Ndërkaq, të mërkurën e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 109-të ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt, për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.