Në Qeverinë e Kosovës thonë se janë të gatshëm për hartimin e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por jo të ndarë nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Sipas tyre, tema e Asociacionit kërkon një konsensus nacional, megjithatë nga opozita dhe njohësit, thonë se kjo është e vonshme, joserioze dhe po bëhet vetëm për të blerë kohë në dialog.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë për KosovaPress, se nëse krijohen rrethanat që të krijohet një komision profesional për hartimin e një drafti për statutin e Asociacionit, ai do të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
Mirëpo, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se këto janë përpjekje të vonshme të qeverisë dhe po bëhen vetëm për të blerë kohë në dialog.
Në anën tjetër, profesori i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani thotë për KosovaPress, se tendenca e qeverisë që të themelojë vet një draft-statut për Asociacionin është joserioze.
Sipas tij, procedura për themelimin e Asociacionit dihet dhe se qeveria s’mundet njëanshëm të hartojë të njëjtit, por duhet të shkojë përmes ndërmjetësve në dialog dhe me pajtimin e palës serbe.
Muajin e kaluar, ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq tha për KosovaPress, se është i gatshëm të përfshihet për hartimin e një draft-statutit për Asociacionin.
Gatishmërinë për hartimin e një drafti për Asociacionin dhe dërgimin e tij për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese e ka dhënë si mundësi edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dëshmi e garancisë për ecjen tutje në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës./KP